Lajme

Avionët rusë shkelin sërish hapësirën ajrore suedeze


Ministria suedeze e Mbrojtjes deklaroi të shtunën se një aeroplan zbulues rus kishte shkelur për pak kohë hapësirën ajrore të Suedisë.

Kjo, vetëm disa javë përpara se vendi nordik të aplikonte për anëtarësim në NATO, gjë që Rusia e kundërshton.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat vendase, duke cituar deklaratat zyrtare të autoriteteve suedeze.

Një deklaratë nga Forcat e Armatosura Suedeze zbuloi se avioni, një Antonov An-30, u lokalizua për herë të parë kur ishte në lindje të Bornholm-it dhe fluturonte drejt territorit suedez.

Ai shkeli për pak kohë hapësirën ajrore suedeze përpara se të largohej nga zona.

“Aeroplanët luftarakë suedezë ndoqën incidentin dhe fotografuan aeroplanin”, shtoi Ministria e Mbrojtjes.

Ministri suedez i Mbrojtjes Peter Hultqvist dënoi incidentin e së premtes, i cili ndodhi në sfondin e aplikimit të pritshëm të Suedisë për anëtarësim në NATO.

Edhe Finlanda fqinje pritet të aplikojë.

“Ne, sigurisht, do të veprojmë diplomatikisht kundër kësaj”, theksoi Hultqvist, sipas gazetës suedeze Aftonbladet.

Sipas zyrtarit suedez, ky veprim është joprofesional dhe duke pasur parasysh situatën e përgjithshme të sigurisë, jashtëzakonisht i papërshtatshëm.

“Sovraniteti suedez duhet të respektohet gjithmonë”, deklaroi ministri.

Suedia dhe Finlanda pritet të aplikojnë për anëtarësim në NATO në javët e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore