Kosova

“Aventurat” e Nagavcit me Shtëpinë Botuese ALBAS: Bashkëpunëtorët e ministres – ata i botojnë libra, ajo iu jep tenderë


“Aventurat tona të verës – pushimet magjike” ka titullin një libër për fëmijë që Arbërie Nagavci e ka shkruar bashkë me motrën e saj Krenare Lleshi dhe një autore tjetër Alida Thaçi.

No description available.
Nje nga librat e Arberie Nagavcit botuar me ALBAS

KY është vetëm një nga pesë librat që Arbërie Nagavci ka shkruar për këtë shtëpi botuese, e cila pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet ka fituar tenderë vazhdimisht nga Ministria e Arsimit dhe aktualisht parashihet se ka kapur rreth 30 për qind të tregut të përgjithshëm në Kosovë.

Nagavci e ka të deklaruar edhe në formularin e deklarimit të pasurisë se ka pranuar para nga Shtëpia Botuese ALBAS, por aty nuk e tregon shumën.

“Autorësia e pesë librave (ALBAS)”, shkruan në të dhënat e pasurisë Nagavci, pa u specifikuar shumë e pranuar.

No description available.
Nga deklarimi i pasurise se Arberie Nagavcit

E njëjta Shtëpi Botuese, vitin e kaluar, kishte fituar të drejtën për të ndarë librat për shkollat në Luginë të Preshevës.

Sipas shtëpisë botuese ALBAS, ata kanë shpërndarë 221 mijë e 314 euro libra.

Për librat shqip kërkonin 159 mijë e 965 euro, kurse për ato në gjuhën angleze 61 mijë e 384 euro.

Me kërkesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, MASHT-i ekzekutoi këto shuma në xhirollogari të bashkë-punëtorëve të Nagavcit.

Nuk është e qartë se a ka pasur procedura të prokurimit dhe si është zgjedhur shtëpia botuese ALBAS për të marrë rolin e shpërndarësit të librave në Preshevë.

Tradita nuk ndryshoi as sivjet.

Është pikërisht ALBAS, që me vendim qeveritar do të marrë plotë 254 mijë e 562 euro e 30 centë, për pajisjet me tekstet shkollore.

Prapë, nuk është e qartë përse është vendosur që të angazhohet e njëjta shtëpi botuese për shpërndarje të librave.

Sipas njohësve të librave shkollorë, ALBAS ka çmimet më të larta në treg krahasuar me shtëpitë të tjera botuese.

Pse dështuan kontratat me Shtëpitë Botuese për shpërndarjen e librave në Kosovë?

Ministrja Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësin e saj Taulant Kelmendi, doli në konferencë për media dhe njoftoi se kanë dështuar kontratat me Shtëpitë Botuese për shpërndarjen e librave për shkak të çmimeve shumë të larta në oferta.

Por, as Nagavci e as zëvendësi i saj, nuk përmenden shifrat. Sa ishte e gatshme të ofronte ministrja e sa ofertuan Shtëpitë Botuese nuk u mor vesh në konferencë, por jo pa arsye.

Nëse shikohet dosja e tenderit në faqen zyrtare E-Prokurimit kuptohet se në fakt bëhet fjalë për një diferencë vetëm 500 mijë euro në mes të parave që i ka ndarë Ministria për të shpenzuar për librat dhe ofertave të Shtëpive Botuese.

Nëse hapni dokumentin bazë “B27 Dosja e Tenderit…”, në faqen 16 do ta gjeni se vlera e parashikuar e tenderit ka qenë 4 milionë e 316 mijë e 885 euro.

Aty janë edhe vlerat e parashikuar për secilën shtëpi botuese, të ndarë në 7 lote.

Ndërkaq, dokumenti ”B58 NJOFTIM PER VENDIMIN E AK.docx” është vendimi për anulimin e tenderit pas negociatave të pasuksesshme.

Nga leximi i këtij dokumenti vërehet se shtëpitë botuese kanë bërë oferta më të larta sesa vlera e parashikuar, diçka që është praktikë e zakonshme dhe ndodhë vazhdimisht.

Këto oferta, nëse mblidhen, japin shumë prej 5 milionë e 882 mijë e 743 euro e 40 centë.

Ndërkaq, siç shihet nga dokumenti, pas zhvillimit të negociatave, shuma totale e negociuar ka qenë 4 milionë e 830 mijë e 69 euro e 62 centë, pra rreth 500 mijë euro më shumë se vlera e parashikuar nga ministria, që është brenda marzhës së parashikuar në këso lloj raste.

Kjo tregon se shtëpitë botuese ishin fleksibile gjatë negociatave pasi e kanë zbritur ofertën për më shumë se një milion euro, por MASHT-i nuk ka dashur t’i shpenzojë 500 mijë euro më shumë se që ka parashikuar.

Sipas çdo eksperti dhe zyrtari të prokurimit vetë kuptimi i negocimit është të gjendet një kompromis në mes të ofertuesit dhe blerësit, ndryshe as nuk do të kishte kuptim si procedurë.

Por, burimet e Albanian Pot, brenda ministrisë së Arsimit thonë se Nagavci nuk ka dashur kurrfarë kompromisi qysh në fillim, meqë e kanë paramenduar më parë metodën e dytë për shpërndarje direkt të parave (çka do të kushtojë më shtrenjtë).

Interesant është edhe fakti se vendimi për anulim është marrë më 9 gusht (data në dokumentin B58), ndërsa Nagavci e ka komunikuar në publik vetëm më 21 gusht.

Siç shihet nga ofertat, shuma më e madhe e parave, për shkak të numrit më të madh të librave, nëse do të arrihej kontrata do të shkonte për Shtëpinë Botuese Dukagjini.

Nga shtëpitë e mëdha botuese, pas njoftimit të ministrisë, kanë reaguar të gjitha, përveç shtëpisë botuese ALBAS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore