Lajme

Avdullah Hoti dirigjohet nga Grenelli, thotë ideologu i Lëvizjes Vetëvendosje


Ilustrim: Avdullah Hoti dhe Hysamedin Feraj

Për Hysamedin Feraj, këshilltarin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dirigjohet nga ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas “kryemendimtarit” të Lëvizjes Vetëvendosje, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke përgënjeshtruar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, për situatën e krijuar në Veri po i shërben vetëm Richard Grenell-it.

Ndryshe Avdullah Hoti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtarë në implementimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identiteti, ndonëse top-diplomati amerikan kishte bërë të ditur se koordinimi kishte ekzistuar.

E Feraj, mu për këtë në mënyrë cinike ka thumbuar Avdullah Hotin.

“Hoti, duke e demantuar qëndrimin e ambasadorit amerikan, ka deklaruar sot se nuk pati koordinim ndërkombëtar. Dhe, si akademik, Avdullah Hoti thotë gjithmonë të vertetën dhe vetëm të vërtetën. Deri kur Grenlli ta urdhërojë për të kundërtën”, ka argumentuar Feraj në rrjetin e tij social në Facebook.

Avdullah Hoti, ishte kritikuar edhe nga një zyrtar i Qeverisë së Kosovës, pak ditë më parë.

Ishte zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziut, ai i cili Avdullah Hotin e quajti shoku i Grenellit, kjo pasi sipas tij ish-emisari amerikan është vazhdimisht në koordinim me Hotin kur është fjala për sulmet ndaj Albin Kurtit.

“Brenda 24 orëve, ish-emisari Grenell ka shkruar 25 herë në Twitter për situatën në veri të Kosovës. Ai e quan kryeministrin Kurti radikal e fashist dhe nxitës të konfliktit, vendimet për targa dhe dokumentet në kufi si vendime të njëanshme dhe të padrejta për serbët dhe Serbinë, ndërkaq që kritikon Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken për takimin dhe fjalët e mira që ka thënë për kryeministrin Kurti. Krejt këto duke qenë në kontakt me shokët e tij në Kosovë të cilët i kanë thënë se ‘asnjëherë në 15 vitet e fundit nuk ka qenë kështu’ dhe që janë shumë të zemëruar me Kurtin”, pati shkruar Kryeziu në rrjetin e tij social në Facebook.

“Shokët e Grenellit në Kosovë”, sipas Kryeziut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore