Lajme

AUV: Për 10 muaj shqiptuam 5 mijë gjoba për shkelje të masave anti-COVID


Ilustrim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë për dhjetë muaj ka shqiptuar rreth 2 mijë e 800 gjoba për persona juridik dhe rreth 2 mijë e 200 gjoba për persona fizik, për rastet e shkeljes së rregullave anti-COVID.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it Lamir Thaçi, duke bërë të ditur se që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në mbarë Kosovën janë kryer me qindra kontrolle dhe në të gjitha rastet ku ka pasur shkelje të rregullave anti-COVID bazuar në vendimet në fuqi të Qeverisë inspektorati ka shqiptuar masa ndëshkimore për të parandaluar përsëritjen e shkeljes.

“Puna e Policisë dhe Inspektoratit ka bërë që gjatë gjithë kohës ne ta kemi situatën nën kontrolle dhe tani jemi vendi lider që prijmë me numër të pakët të rasteve pozitive me COVID-19, dhe kjo vjen krejt si pasojë e respektimit të masave nga vetë qytetarët në radhë të parë, por edhe në mbikëqyrje efektive që është duke u bë nga ne dhe Policia e Kosovës”, ka thënë Thaçi për Ekonomia Online.

Ai ka bërë të ditur se kanë përgatitur planet për kontrolle gjatë festave të fundvitit. Madje Thaçi ka shtuar se nuk do të kursejnë askënd që bënë shkelje të masave anti-Covid.

“I kemi përgatitur planet për kontrollet të cilat do të jenë në festat e fundvitit. Ne iu bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat sipas vendimit në fuqi që është tani. Ne po ashtu kemi parapa që frekuenca e kontrollit do të rritet sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, dhe nuk do të kursejmë askënd që bënë shkelje të masave anti-Covid”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore