Autoriteti i Konkurrencës zhvillon një takim me blegtorët në zonën e Fierit

SHFLETO
Sadiola Xhelili
23.01.2024 15:45
Loading Icons...

Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba dhe përfaqësues të AK, kanë zhvilluar një takim në zonën e Fierit me blegtorët.

Këta të fundit, prej ditësh janë duke zhvilluar disa protesta të natyrës ekonomike.

Takimi u zhvillua në kuadër të shqetësimeve të blegtorëve lidhur me uljen e çmimit të qumështit nga fabrikat përpunuese.

Ulje kjo, e cila, sipas tyre tregon për një situatë konkurrence jo të drejtë dhe që ka sjellë krizë financiare duke detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset.

Autoriteti i Konkurrencës, aktualisht, nëpërmjet vendimit nr. 1045, datë 29.12.2023 e ka vënë nën hetim të thelluar tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të nënprodukteve të qumështit për ndërmarrjet Erzeni shpk, Gjirofarma sh.a, ADG shpk, (Lufra) dhe SHAKA Boboshtice shpk.

Përmes këtij hetimi dhe dëgjesave me palët e interesuara dhe të prekura nga kjo situatë, Autoriteti i Konkurrencës do të evidentojë nëse ka apo jo shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës dhe në rast konstatimi të shkeljeve do të marrë masat përkatëse në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9121 dt. 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.