Shqipëria

Autoritetet shqiptare po punojnë për izolimin e zjarrit në pesë qytete


Autoritetet shqiptare po punojnë përmes forcave operacionale në terren për të izoluar flakët.

Kjo, në gjashta vatra zjarri të përqëndruara në pesë qytete të vendit: Berat, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Durrës.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke cituar statusin e tij në median sociale “Facebook”.

Sipas tij, po punohet prej orëve të para të ditës për të izoluar flakët që për shkak të erës janë përhapur.

Këto të fundit, sipas Peleshi, nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.

“Problematike është situata në fshatin Ndërshen, njësia administrative Orosh, Bashkia Mirditë, ku është e vështirë edhe ndërhyrja e helikopterit për shkak të kushteve atmosferike”, theksoi zyrtari shqiptar.

Ai shtoi se forcat vijojnë punën në terren për të mbajtur nën kontroll vatrat afër banesave.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian bëri më herët me dije se po vijon të kanalizojë mbështetjen.

Kjo, për të ndihmuar në luftimin e zjarreve të rënda në pyjet e Shqipërisë, Portugalisë dhe Francës.

Pas kërkesave për ndihmë, BE-ja ka ndihmuar në mobilizimin e dy avionëve zjarrfikës nga Italia në Portugali që operojnë në vend që nga 13 korriku.

Kjo vjen si shtesë e ndihmës së vendosur tashmë fundjavën e kaluar nga Spanja në Portugali.

Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent mobilizoi gjithashtu dy avionë zjarrfikës nga flota greke në ndihmë të Francës.

Kjo, pas shpërthimeve të zjarrit në rajonin jugperëndimor të vendit, të cilët do të mbërrijnë në Francë.

Dy avionë të tjerë zjarrfikës nga Greqia u vendosën në Shqipëri më 14 dhe 15 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore