Shqipëria

Autoritetet shqiptare dërgojnë ngushëllime për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Marok


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar përmes një statusi në median sociale “X” lidhur me zhvillimet tragjike në Marok pas një tërmeti shkatërrues 6.8 ballësh.

“Zemërthyer nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Marokun. Ne qëndrojmë me popullin e Marokut dhe u dërgojmë ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të prekura nga kjo tragjedi”, shkruan kreu i shtetit në statusin e tij.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dërgoi gjithashtu një mesazh ngushëllimi për familjet e viktimave dhe të plagosurve.

“E tronditur nga tragjedia e shkaktuar nga tërmeti shkatërrues në Marok. Zemrat tona dhe lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave dhe të plagosurve”, shkruan në reagimin e saj kryediplomatja shqiptare.

Kujtojmë që, një tërmet i rrallë dhe i fuqishëm goditi Marokun vonë të premten në mbrëmje, duke vrarë qindra njerëz dhe duke dëmtuar ndërtesa nga fshatrat në malet e Atlasit deri në qytetin historik të Marrakech-it.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press” dhe multimediali amerikan “CNN”.

Tërmeti ka vrarë të paktën 632 njerëz, duke plagosur më shumë se 320, duke dëmtuar ndërtesa dhe duke i detyruar banorët e tmerruar të largohen nga shtëpitë e tyre në rrugë për siguri.

Televizioni shtetëror i Marokut raportoi dyfishimin e numrit të viktimave të shtunën në mëngjes, duke cituar ministrinë e Brendshme.

Të paktën 632 viktima nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore