Shqipëria

Autoritetet lëshojnë një tjetër urdhër-arresti ndaj Ervis Martinajt


Ervis Martinaj është shpallur në kërkim për të dytën herë nga autoritetet shqiptare, të cilat kanë lëshuar të enjten e 27 korrikut një tjetër urdhër-arresti ndaj tij, pasi dyshohet se ka urdhëruar disa vrasje në Shkodër.

Policia e Shtetit dhe SPAK kanë zbarkuar për kontrolle në banesat e të shumëkërkuarit, i cili është zhdukur prej pothuajse një viti.

Struktura e Posaçme do të niste më 15 shkurt të këtij viti operacionin për sekuestrimin e pasurive të Ervis Martinajt.

Operacioni u përqendrua asokohe në Lezhë dhe Fushë Kuqe, zonë ku ndodheshin familjarët e tij.

Urdhri për sekuestrimin e pasurive u firmos nga vetë kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, prokurori Behar Dibra dhe prokurorja Enkeleda Millonai.

Bëhet fjalë për 34 pasuri në total, në zotërim të Martinajt dhe familjarëve të tij.

Përfshihen disa makina, lokale, kompani, apartamente, kazino, toka dhe llogari bankare të fëmijëve.

Nga apartamentet te llogaria bankare e fëmijëve, çfarë po i sekuestrohet Ervis Martinajt?

Ndërkohë në fillim të këtij viti ka pasur një kontroll në banesën e tij në Fushë Kuqe.

Prej fundit të korrikut të vitit të kaluar, Martinaj është raportuar si i zhdukur nga familjarët e tij, të cilët kanë bërë edhe kallëzim në Polici pasi kishte humbur krejtësisht gjurmët.

Ka qenë xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj, ai i cili ka kryer kallëzimin në Policinë e Kurbinit.

Megjithatë, asnjë detaj apo gjetje, nuk janë bërë me dije deri tani nga Policia e Shtetit lidhur me rastin.

Më 19 gusht, Albanian Post raportoi për herë të parë ekskluzivisht se Ervis Martinaj ishte rrëmbyer e më pas vrarë, siç dyshohet nga grupet rivale.

Por, nga ana e Policisë së Shtetit, ende nuk ka një version zyrtar për ngjarjen.

Kjo, pavarësisht një interesi të madh publik, për çështjen e cila është bërë tashmë edhe me konotacion politik, duke parë edhe lidhjet e mundshme që Martinaj ka pasur me botën e politikës.

Ai njihej ndryshe edhe si bosi i lojërave të fatit, pasi operonte në këtë fushë prej vitesh dhe kishte krijuar praktikisht një monopol të tyre, me shuma marramendëse parash të luajtura çdo ditë.

Kush është Ervis Martinaj?

Emri i Ervis Martinajt është lakuar shpesh pas vitit 2013. Ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë, me nisjen e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, për lojërat e fatit. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim.

Ervis Martinajt asokohe, iu sekuestruan 400 makineri lojërash fati dhe disa automjete luksoze.

Ngjarja e vitit 2018 pranë një dyqani veshjesh në Tiranë, “Monopol”, ishte ajo, e cila do ta kthente në pëersonazh Martinajn.

Ishte pikërisht data 4 tetor, kur Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zonës.

Prej aty, jo të gjithë dolën të gjallë.

Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.

Vetë Ervis Martinaj u plagos gjatë ngjarjes, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte, Eljo Hato.

Vrasja e Brilant Martinajt në mbikalimin e Fushë-Krujës ndërkohë, solli në kujtesë edhe vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Xhulio Prela, i cili u ekzekutua siç mendohet nga Brilanti, më 29 dhjetor 2021.

Mes konflikteve të familjes Martinaj, ka qenë edhe kjo e vrasjes së oficerit policie në Lezhë.

Në bazë të rregullave kanunore në këto zona, një vrasje baraspeshohet me katër të tjera, të cilat e ndjekin.

Është ky rasti? Mundet!

Mirëpo, këtë herë, duket se numri i duhur ka qenë pesë, duke llogaritur tre viktimat e atentatit në Fushë-Krujë dhe gjetjen e trupave të Martinajt dhe një miku të tijin, edhe pse ky i fundit, mund të ketë qenë thjesht një kolateral…

Ervis Martinaj – Nga biznesmen, në mit të botës së krimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore