Shqipëria

Autonomia, “frymëmarrje” për spitalet në Shqipëri – E shpjegon Flutura Beqo për Albanian Post


Shërbimi spitalor në Shqipëri do të ketë së shpejti një model të ri administrimi dhe menaxhimi.

Kjo u bë me dije nga vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila njoftoi se, sipas projektligjit të ri, do të sjellë modelin e Autonomisë Spitalore.

Lidhur me këtë hap të ndërmarrë, mjekja Flutura Beqo, për Albanian Post shpjegoi se ka një sërë komponentësh të rëndësishëm që ndiqen për shërbimin spitalor.

“Kjo nis që nga planifikimi spitalor kombëtar, riklasifikimi i spitaleve, modalitetet ligjore të organizimit dhe funksionimit të sistemit spitalor, financimit deri te konceptet e autonomisë spitalore dhe praktikat e dyfishta të mjekëve”.

Flutura Beqo, drejtoreshë e politikave të shërbimit spitalor

Sipas drejtoreshës së politikave të shërbimit spitalor, ligji spitalor kishte nevojë për një rifreskim, prandaj nga ekspertët dhe vizioni i Ministrisë u krijuan bazat dhe u arrit në këtë projektligj të ri që u miratua në Këshillin e Ministrave.

“Si çdo projektligj, ai do të ndjekë rrugën e tij legale deri në Parlament për t’u vlerësuar”.

Mjekja thekson se koncepti i autonomisë spitalore “nuk është një koncept që ne e futëm në projektligj dhe do të ndërmerret në të gjithë spitalet pa u plotësuar disa kushte apo standarde”.

“Sigurisht për momentin”, tha ajo, “unë e shoh që do të ketë shumë sfida dhe do të duhet shumë punë nga të gjithë për ta realizuar hap pas hapi, por duhet të vijë një moment që ne t’i japim një shans sistemit për përmirësim. Është një inovacion dhe një frymëmarrje për spitalet”.

Megjithatë, sipas saj, për ta arritur duhet që spitalet të plotësojnë një sërë kushtesh dhe kriteresh.

Ndaj, ashtu siç e njoftoi Manastirliu, edhe drejtoresha bën me dije se si fillim do të startojë me një projekt pilot, konkretisht në Spitalin Memorial të Fierit.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit

“Me miratimin e projektligjit starton një punë tjetër për saktësimin dhe definimin e kritereve të mirëpërcaktuara me akte nënligjore nëpërmjet Kartës së autonomisë spitalore”.

Nga ana tjetër, edhe mjeku Pëllumb Pipero, për sa i përket hapit për autonomi spitalore, deklaron për Albanian Post se, nëse realizohet dhe sidomos nëse zbatohet siç duhet, do të ishte një gjë shumë e mirë”.

Risi, sipas ministrisë, është planifikimi spitalor në nivel kombëtar.

Për këtë, është parashikuar ngritja e një organi kolegjial ad hoc, organ këshillimor për politikat dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor, që do të hartojë planin kombëtar spitalor.

Ideja për autonomi, u njoftua që në prezantimin e qeverisё “Rama 3”.

“Do të jetë një reformë kundër korrupsionit me autonomi spitalore, investim në urgjenca kombëtare, siguri barnash, monitorim dhe kontroll”, tha Manastirliu.

Aplikimi pёr autonominë spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinё e Shёndetёsisё, nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri, në të cilin pasqyrohen elementet formale të kërkesës.

Dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit. Më pas miratohet nga ministri.

Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore. Gjithashtu të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore