Kosova

“Autokrat populist, pro-Kremlinit”, Von Cramon – Vuçiç-it: O’ zgjidh Perëndimin o’ Rusinë, qëndrimi në “dy karrige” ka marrë fund


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një prononcim për për të përditshmen britanike “The Guardian“, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duhet të zgjedhë nëse vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ose të rreshtohet me Rusinë.

“Serbia duhet të tregojë qartë se dëshiron të anëtarësohet në BE”, theksoi von Cramon për “The Guardian”, i cili i kushtoi një artikull të posaçëm vrasjeve masive në Serbi, ndërsa shtoi se “koha e ‘uljes në dy karrige’ dhe balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë ka përfunduar”.

Vendi i vetëm evropian që nuk iu është bashkuar sanksioneve ndaj Rusië për shkak të agresionit të saj në Ukrainë është Serbia. Ndonëse synon integrimin në BE, ajo ruan lidhje të ngushta me Rusinë, në radhë të parë për shkak mbështetjes së Kremlinit për refuzimin e Beogradit që të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Presidenti Aleksandër Vuçiç, një autokrat populist, pro-Kremlinit, rrënjët politike të të cilit janë në nacionalizmin e ekstremit të djathtë – ai ishte ministër i informacionit nën liderin e ndjerë serb dhe kriminelin e luftës Slobodan Millosheviç – qortoi ‘sulmin ndaj të gjithë vendit tonë'”, shkruan “The Guardian”.

Ndërkaq, eurodeputeti slloven Klemen Groshelj, teksa komentoi situatën e përgjithshme në Serbi në regjimin e Vuçiç-it, theksoi mungesën e progresit drejt një sistemi gjyqësor të pavarur dhe në media, të cilat nuk janë “as të pavarura dhe as objektive”.

“Unë jam shumë pesimist”, pohoi Groshelj. “Kur e vizitova [Serbinë] pas rënies së Millosheviç-it, kishte një energji pozitive. Fatkeqësisht, ajo është zbehur; nuk ka vullnet real politik dhe të ndershëm për ndryshime që të jenë pjesë e BE-së. Së shpejti Serbia do të duhet të bëjë një zgjedhje”.

Komisioni i Posaçëm për Ndërhyrjet e Huaja i Parlamentit Evropian, konsideroi se fundmi se Rusia po shfrytëzon ndikimin e saj në Serbi në përpjekje për të ndërhyrë në shtetet fqinje dhe të ndikojë negativisht në orientimin euroatlantik të rajonit – në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore