Lajme

Detajet e para të aksidentit tragjik në Kroaci, autobusi u përplas në një mur, shoferi ka fluturuar nga xhami


Fotografia nga vendi i ngjarjes

Të paktën 12 persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në autostradën A4 Zagreb-Goriçan, mëngjesin e së shtunës.

Sipas raportimeve të para në mediumet kroate, një autobus me targa polake është përfshirë në një aksident me fatalitet në njërën nga autostradat e Kroacisë, ku sipas informacioneve jozyrtare gjithashtu kanë pësuar lëndime trupore edhe 34 persona.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për shkaqet e këtij aksidenti dhe as për rrethanat në të cilat ka ndodhur, por jozyrtarisht raportohet se shoferin mund ta ketë zënë gjumi në timon.

Policia, së bashku me ekipet e tjera të ndihmës së parë, si emergjenca dhe zjarrfikësit, janë në vendngjarje.

Detajet e para të aksidentit tragjik në Kroaci erdhën kur Shefi i Divizionit të Zjarrfikësve, “Brezniçki Hum” në Kroaci, Ivan Ivançan, ekipi i të cilit ishte ndër të partë në vendin e ngjarjes, tregoi për skenat horror që ka përjetuar ai dhe ekipi I tij kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.

“Ishte e tmerrshme, si në filma horror”, ka thënë Ivançan.

Sipas tij autobusi ishte përplasur në një mur dhe si rrjedhojë një pjesë e pasagjerëve në ulëset e përparme kanë fluturuar jashtë nga dritarja.

“Na telefonuan në 5:50 të mëngjesit. Po nxirrnim të vdekurit, ishin më shumë se 10 të tillë. Autobusi u përplas në kanal dhe e gjithë pjesa e përparme e autobusit ishte i shtypur. Autobusi dukej sikur kishte goditur një mur. Një shofer doli nga xhami i përparmë dhe tjetri ishte në autobus. Nuk kam parë diçka të tillë në jetën time”, kishte deklaruar Ivançan.

Ndryshe në fund të korrikut të vitit të kaluar kishte ndodhur një aksident i ngjashëm tragjik në autostradën kroate ku një autobus nga Kosova doli nga rruga në afërsi të Komunës së Slavonski Brodit duke lënë të vdekur 10 persona dhe 44 të tjerë të lënduar.

Fotografia nga vendi i ngjarjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore