Sport

Autobusi ku dyshohet se kishte studentë serbë, s’lejohet të futet në Prekaz


U raportua se një grup studentësh, përfshirë edhe disa serbë, do ta vizitonin Prekazin gjatë ditës së diele, vendin ku ra heroikisht familja Jashari.

Pas raportimeve të tilla, tifo-grupi i Drenicës, “Shqiponjat e Zeza”, të përkrahur edhe nga qytetarë e veteranë, dolën në rrugë për t’i ndalur studentët të futen në këtë memorial.

Lidhur me këtë, tifozët kanë dalë më një sqarim rreth situatës së çfarë ndodhi saktësisht aty.

Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, “Shqiponjat e Zeza” thanë që së bashku me policinë, ata nuk lejuan kalimin e autobusit, pasi disa nga studentët hezituan që të tregonin mjetet e tyre të identifikimi.

“Në mbështetje na dolën qytetarë e shumë veteranë ku rreth orës 13:00 ka mbërritur autobusi me studentë të Universitetit Veror të Prishtinës, autobus ky me targa të Shqipërisë”, shkruhet në postimin e tifo-grupit.

“Me të mbërritur ky autobus kemi hasur në dyshimet e para pasi të gjithë dukeshin si studentë dhe nga Policia e Skenderajt kemi kërkuar identifikimin e secilit prej tyre, me kusht që me ta të jenë edhe përfaqësues nga anëtarët tanë”.

“Gjatë identifikimit të studentëve pamë që kishte nga vendet e ndryshme që kishin ardhur dhe nuk hezitonin të tregonin letërnjoftimet e tyre, por gjatë kontrollit hasëm në student që refuzuan ta bënin këtë gjë duke u arsyetuar se nuk kanë mjete identifikimi”.

“Nga Shqiponjat e zeza dhe policia iu kemi dhënë kohë disa minuta që të tregojnë se nga vijnë mirëpo nuk dëshiruan ta bëjnë këtë”.

“Së pari me policinë menduam që ata që nuk tregojnë letërnjoftimet të ndalohen kurse pjesa tjetër të kalojnë. Mirëpo duke parë studentë nga shtetet mike serbe, e shtete që nuk njohin Kosovën si shtet, duke marrë parasysh provokimet që mund të bëhen, vendosem që autobusi të kthehet nga ka ardhur”, thuhet në sqarim.

Pavarësisht kësaj ndalese, në postimin e “Shqiponjave të Zeza” thuhet që autobusi tentoi sërish që të futej në Prekaz.

“Duke menduar se çdo gjë kaloi, në orën 14:50 i njëjti autobus tenton të hyjë sërish në Prekaz por edhe këtë herë e pamundur pasi që mburoja drejt tij është e pathyeshme dhe deri sa të identifikohen të gjithë ai autobus nuk do të kaloi në Prekaz”.

“E cekim sërish që qyteti është në monitorim të plotë nga të gjitha anët prej anëtarëve të ‘Shqiponjave të Zeza’, andaj mos e mundoni vetën sepse ne nuk lodhemi duke iu dëbuar nga vendi ynë.

“Ndjesë për studentët që më të vërtetë kanë dashur të vizitojnë Prekazin, ne jemi mikpritës sa herë që ju vini, mirëpo jo për armiqtë”, thuhet në postimin e tifozëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore