Sport

Australian Open, Djokovic konfirmohet numri ‘1’ për Grand Slam


Tenisti serb, Novak Djokovic, nuk e ka ende të sigurt pjesëmarrjen në Australian Open. Por, pavarësisht rrethanave aktuale, ai renditet si numri “një” i meshkujve nga organizatorët e turneut.

Të hënën, një gjykatës vendosi të anulonte vendimin e qeverisë australiane për të anuluar vizën e Djokovic-it dhe urdhëroi lirimin e tij nga burgu i përkohshëm i emigracionit në Melburn.

Megjithatë, numri “një” në botë i tenisit, që nuk është vaksinuar, mund të përballet ende me deportim nga Ministria e Emigracionit të Australisë.

Djokovic-i vjen në Australian Open të këtij viti me mundësinë për t’u shpallur kampion. Ai është rekordmen absolut i këtij turneu me nëntë tituj.

Në total, tenisti serb ka 20 trofe, po aq sa dy rivalët më të mëdhenj, Rafael Nadal-i dhe Roger Federer-i.

Nëse, arrin të marrë pjesë në Australian Open dhe të shpallet kampion, atëherë, Djokovic-i do të qëndrojë i vetëm në krye me 21 tituj kampion.

Aktualisht, si tensitët më të mirë, pas Djokovic-it renditen: rusi Daniil Medvedev-i, që mundi në finalen e US Open vitin e kaluar Djokovic-in dhe më pas vijnë Alexander Zverev-i, Stefanos Tsitsipas-i dhe Andrey Rublev-i.

Nadal-i është i gjashti, por do të hyjë në Australian Open me besim të shtuar pasi fitoi titullin e Melburn Summer Set javën e kaluar.

ATP Tour rekomandoi vaksinimin për të gjithë lojtarët në turneun ATP, duke e quajtur si “thelbësore që sporti të lundrojë në pandemi”. Gjithashtu u tha se 97% e 100 lojtarëve më të mirë janë vaksinuar, para se të shkonin në Australian Open.

Megjthatë, Djokovic-i nuk ka pranuar të vaksinohet. Dhe me ngjarjet e fundit, ATP i ka dal në mbrojtjte tenistit, duke thënë se situata “është e dëmshme në të gjitha frontet”, duke përfshirë edhe mirëqenien e atletit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore