Lajme

Australia dhe Zelanda e Re mohojnë ndalimin e dërgesave të mishit në Kinë


Për Australinë dhe Zelandën e Re, dërgesat e mishit në Kinë po vijojnë normalisht pavarësisht raporteve të mediave kineze për ndalimin e importeve nga të dy vendet.

Referuar gazetës “Australian Financial Review”, një media kineze kishte raportuar se importet bujqësore, veçanërisht mishi, nga Australia dhe Zelanda e Re mund të pezullohen për shkak të shqetësimeve rreth sëmundjes Afta Epizootike.

“Jemi të vetëdijshëm për thashethemet. Ambasada Australiane në Pekin ka qenë në kontakt me Doganën e Kinës dhe asnjë njoftim zyrtar nuk është lëshuar”, ka bërë me dije një zëdhënës në departamentin australian të bujqësisë.

Steve Ainsworth, drejtor i aksesit në treg në ministrinë e Zelandës së Re për Industritë Primare, ka treguar se eksportet po vazhdonin si normale.

“Kemi kryer hetime me autoritetet kineze, duke përfshirë stafin tonë të ambasadës në Kinë. Këto hetime konfirmojnë se produktet e Zelandës së Re po vazhdojnë të kalojnë përmes kufirit”, ka thënë ai.

As Australia dhe as Zelanda e Re nuk kanë raportuar një rast të sëmundjes Afta Epizootike.

Mirëpo, të dyja vendet po marrin masa paraprake shtesë të biosigurisë pasi virusi i kafshëve u gjet në destinacionin popullor indonezian të pushimeve në Bali.

Afta Epizootike është një sëmundje ngjitëse e kafshëve që prek bagëtinë, delet, dhitë dhe derrat, por nuk përbën kërcënim për njerëzit.

Modelimi i qeverisë australiane parashikon që një shpërthim i përhapur i epidemisë në vend mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik të vlerësuar prej rreth 80 miliardë dollarë australianë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore