Lajme

ATK kërkon nga bizneset jo aktive të mos kryejnë transaksione


Administrata Tatimore e Kosovës (ATK)

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar të gjitha bizneset, të cilat merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor, ATK nuk njeh transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset jo-aktive.

ATK përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur hapat se si do të realizohen transaksionet.

“Transaksionet e realizuara me bizneset fiktive dhe bizneset jo-aktive, gjegjësisht shpenzimet në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura, si dhe kërkesat për kreditim të zbritshëm në një deklaratë të TVSH-së, nuk do të njihen nga ATK”, thuhet në njoftim.

Po ashtu ATK, ka njoftuar se aktivitetet e saj, do të përqendrohen te bizneset, të cilat zhvillojnë transaksione fiktive dhe bizneset jo-aktive që funksionojnë në mënyrë jo të rregullt, për të cilat do të ndërmerren masat ndëshkuese konform legjislacionit tatimor.

ATK, iu ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që para se të hyjnë në transaksione afariste të bëjnë verifikimin e bizneseve jo-aktive, të cilat i gjeni në ueb faqe ëëë.atk-ks.org në linkun http://ëëë.atk-ks.org/non-active-taxpayers/ .

Sipas tyre, është detyrë e çdo tatimpaguesi që të respektoj dhe të zbatoj dispozitat e legjislacionit tatimor të aplikueshëm.

“Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ndërkaq, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), kishte njoftuar se nga inspektimet që ishin bërë bizneseve në teren nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, janë identifikuar dhe formalizuar 2 mijë e 756 punëtorë të pa regjistruar.

Në njoftimin e ATK-së thuhej se kishin filluar me zbatimin e tri projekteve të mëdha të përmbushjes, ku secila prej tyre ka indikacion të drejtpërdrejt në formalizmin e punëtorëve, projektet në fjalë si ai i punësimit joformal, ndërtimtarisë, akomodimit dhe shërbimit ushqimor janë të bazuara në metodologjinë e vlerësimit të rrezikut.

“Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës është e orientuar në formalizmin e këtij sektori, përmes vendimeve të ndryshme, si dhe përmes Pakos për Ringjallje Ekonomike, konkretisht përmes masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 të cilat janë input shumë i rëndësishme në deklarimin e punëtorëve, por edhe rritjes së sensibilizimit të punëtorëve për të kërkuar që të deklarohen nga ana e punëdhënësit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore