Lajme

ATK fton sektorin e performuesve të këndimit që t’i kryejnë pagesat e tatimeve


Administrata Tatimore e Kosovës ka publikuar një video porosi me anë të së cilës u ka bërë thirrje sektorit të performuesve të këndimit që t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj këtij institucioni.

Kjo thirrje publike nga ATK, vjen me rastin e fillimit të sezonit veror, ndërsa thuhet se pagesa e tatimeve nga ana e perforumesve të këndimit kontribuon në rritje dhe zhvillim të shoqërisë kosovare.

“Të nderuar performues, tani që jemi para fillimit të sezonit së punës tuaj intensive, ne duam të ju kujtojmë rëndësinë e pagimit të tatimeve, duke bërë pagesa të rregullta të tatimeve ju kontribuoni në rritjen dhe zhvillimin e shoqërisë tonë. Takimet i financojnë shërbimet thelbësore të shtetit, sikurse arsimi, kujdesi shëndetësor dhe siguria publike – nga të cilat, përfitojmë të gjithë”, thuhet në video mesazh.

Pos tjerash, në video mesazh rikujtohet fakti se pagesa e rregullt e tatimeve po ashtu ndihmon në përforcimin ekonomik të vendit, duke mbështetur bizneset e vogla si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Pagesa e tatimeve siguron gjithashtu një shoqëri të drejtë dhe të barabartë. Sistemi tatimor shpërndan barrë bazuar në aftësinë e secilit për të paguar, duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë. Gjithashtu, ai forcon ekonominë duke mbështetur bizneset e vogla, infrastrukturën dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet tutje.

Përndryshe, të hënën e 26 qershorit, ATK ka njoftuar se për 12 biznese të sektorit të klubeve të natës, është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të ATK-së në Facebook, u bë e ditur se janë shqiptuar plot 163 gjoba për klubet e natës në aktivitetet e kryera gjatë ditëve të vikendit, në disa prej qyteteve të Kosovës.

“ATK gjobit me 163 gjoba klubet e natës. Duke pas parasysh fillimin e sezonit të verës kur shumëfishohet aktiviteti në klubet e natës, bare dhe restorante të ndryshme, Administrata Tatimore e Kosovës ka kryer aktivitete gjatë ditëve të vikendit, tek ky sektor në disa qytete të Kosovës. ATK bënë të ditur së këto inspektime janë bërë në përpjekje për të siguruar që këto biznese janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponëve fiskal”, thuhet në njoftim.

Kësisoj, për 12 subjektet biznesore që sipas ATK-së nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara, janë lëshuar gjoba në vlerë prej hiq më pak se 41 mijë euro.

“Gjatë inspektimeve, inspektorët kanë identifikuar disa raste ku klubet e natës, restoranet dhe baret e ndryshme, nuk po i respektojnë rregullat tatimore – kryesisht në lëshimin e kuponëve fiskal. Andaj, si rezultat i këtyre aktiviteteve janë vizituar 12 subjekte biznesore, tek të cilat është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruar”, thuhet në njoftim.

“Me këtë rast, janë lëshuar 163 gjoba në vlerë 41 mijë euro, për të cilat do të iniciohen raste penale. Këto aktivitete kanë evidentuar edhe 77 punëtorë të pa regjistruar, si dhe janë konfiskuar 7 printer jo-fiskal”, thuhet tutje.

Kjo administratë u ka rikujtuar tatimpaguesve “se shkeljet të tilla ligjore, ndikojnë rëndë në rritjen e ekonomisë jo-formale në treg, e cila më pas krijon pabarazi dhe konkurrencë jo të drejtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore