Shqipëria

Atentat apo vrasje me motive politike, çfarë dihet për eliminimin e Ardian Nikulajt


Shëngjini u trondit mesditën e 19 prillit, pas vrasjes se Ardian Nikulajt, një biznesmen i njohur në zonën e Lezhës, dhe vite më parë kandidat për deputet.

Ai u vra me armë zjarri të mërkurën në biznesin e tij në Shëngjin, në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që është në pronësi të viktimës.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe pasi qëlloi disa herë 50-vjeçarin.

Pamjet e publikuara në media tregojnë momentin kur autori i krimit, i ka drejtuar pistoletën Nikulajt, i cili qëndron i ulur në një nga tavolinat e barit.

Sipas dinamikës paraprake të ndërtuar nga grupi hetues, autori që qëlloi mbi biznesmenin, thuhet të ketë mbërritur në lokalin e Nikulaj, nga qyteti i Shkodrës.

Ai mendohet të ketë udhëtuar aty me një motoçikletë dhe të ketë qenë i vetëm.

Sipas skemës së ndërtuar të ngjarjes, ai ka hyrë nga një derë anësore e lokalit dhe pasi ka kryer krimin, është larguar nga një derë e dytë e restorantit, po me mjetin motoçikletë me të cilin mbërriti, çka rrit dyshimet te policia se ai veproi i vetëm.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që mund të çojnë në kapjen e autorëve si dhe ka ngritur kontrolle në gjithë zonën.

Nikulaj ka në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.

Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu në formular rezulton se Nikulaj ka mbiemrin e ndryshuar.

Nikulaj është rreth 50 vjeç dhe në këto zgjedhje ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të bashkisë Lezhë.

Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së vrasjes së biznesmenit, nëse kemi të bëjmë me një atentat, apo nëse kemi të bëjmë me një vrasje për motive politike.

Autoritetet nuk kanë përjashtuar as mundësinë e vrasjes për hakmarrje duke bërë kontrolle në familje të cilat mund të kenë pasur konflikte të mëparshme me Nikulajn.

Për ngjarjen ka reaguar kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duke shkruar se ndihet i tronditur dhe se ky është një cenim i rendit dhe i sigurisë publike në qytet.

“I tronditur nga ngjarja e sotme në Shëngjin ku ngeli i vrarë Ardian Nikulaj, biznesmen dhe anëtar i këshillit bashkiak. Një ngjarje e tillë është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë në qytetin tonë. Kërkoj me forcë nga organet e rendit dhe prokurorisë që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen, për të vënë përballë ligjit autorët e kësaj ngjarje të shëmtuar”.

Shëngjin/ Biznesmeni qëllohet për vdekje në lokalin e tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore