Sport

Atalanta “knock out” Napoli-t


Atalanta e Gian Piero Gasperini-t ka fituar bindshëm ndaj Napoli-t të Gennaro Gattuso-s. Në Gewiss Stadium të zotët e shtëpisë bën gjithçka, gola, autogol dhe për ta përmbyllur me një karton të kuq për teknikun Gasperini.

Ndeshja u luajt për javën e 23 në Serinë A. Totalisht ndeshje e dominuar nga vendasit dhe me napolitanët që duket se e kanë humbur busullën që kanë patur sezonet e kaluara.

Ndonëse pjesa e parë mbaroi pa gola, në pjesë të dytë gjithçka ishte me tjetër ritëm. Fillimisht shënoi Duvan Zapata në të 52’, pas një asisti nga bashkëkombësi dhe kolegu i sulmit, Luis Muriel-i.

Ndeshja u barazua përkohësisht në të 58’ nga Piotr Zielinski pas asistit të Matteo Politano-s. Në të 64’ pas një asisti të Zapata-s, shënoi gjermani, Robin Gosens, i cili disa minuta më vonë do të shënonte dhe autogol (75’).

Goli i tretë i vendasve erdhi nga Muriel-i, në të 71’. Ndërsa goli që vulosi shifrat përfundimtare në 4-2, erdhi nga mbrojtja. Lojtari i Kombëtares shqiptare, Berat Djimsiti asistoi për Cristian Romero-n.

Në përfundim të takimit Muriel, ishte lojtari më i vlerësuar sipas Sofascore-s, me notën 9, i ndjekur nga Romero me 8.2 dhe Zapata me 7.7. Tek Napoli më të vlerësuarit ishin Zielinski dhe Politano me 6.9.

Ndeshje për t’u harruar për portierin e Atalanta-s, Pierluigi Gollini-n që për performancën e tij u vlerësua me notën 6.3, si dhe për portierin e Napoli-t, Alex Meret, që u vlerësua me notën 5.9.

Në fushë për të dy ekipet luajtën për 90’ edhe dy shqiptarët, Djimsiti, që u vlerësua me notën 6.7 dhe Amir Rrahmani për Napoli-n që u vlerësua me 6.3.

Me fitoren e arritur, Atalanta ngjitet në vendin e katërt të Serisë A me 43 pikë, ndërsa Napoli e shikon veten në vendin e shtatë me 40 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore