Sport

Atalanta i bën dhuratën e parë Gasperini-t, vjen Boga


Skuadra e Atalanta-s e ka gati nënshkrimin e parë për merkaton e dimrit. Dhurata për trajnerin, Gian Piero Gasperini-n, do të jetë futbollisti i Sassuolo-s, Jeremie Boga.

Sipas raportimeve që vijnë nga mediat italiane, ish-lojtari i Chelsea-t do të lërë “Mapei”-n në janar dhe do të transferohet në Bergamo.

Anësori 24-vjeçar është një nga lojtarët më të spikatur te Sassuolo-s në Serie A. Ai pritet t’i kushtojë rreth 22 milionë euro arkave të klubit bergamask. Boga do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Atalanta-n.

Ai u bë pjesë e Sassuolo-s në vitin 2018 për shifrën e 10 milionë eurove. Që nga ajo kohë, Boga numëron 103 paraqitje me italianët. 18 gola dhe 10 asiste mbajnë emrin e tij.

Lojtari i lindur në Marsejë, përfaqeson Kombëtaren e Bregut të Fildishtë dhe do të jetë pjesë e Kupës së Kombeve në Afrikë. Në fillim të 2022 do të jetë gati për Atalanta-n, pas turneut afrikan.

Në krahun tjetër, afrimi i Boga-s do të sjellë largime në “Gewiss Stadium”. Aleksey Miranchuk-u ose Luis Muriel-i janë dy emrat më të lakuar për të lënë Atalanta-n.

Futbollisti rus, Miranchuk, kërkohet nga Andriy Shevchenko te Genoa, sipas raportimeve të “Tuttosport”-it. Për Muriel-in ka interes nga Milan-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore