Përballje

Atalanta fiton tri pikë, barazojnë Sassuolo e Udinese


Atalanta është rikthyer te fitorja, teksa në udhëtim ka mposhtur Empoli-n me rezultat 1:4.

Mysafirët ishin të papërmbajtshëm që nga fillimi i ndeshjes, ku Josip Ilicic arriti të shënojë dy gola në minutat 11 dhe 26.

Vendasit reaguan vetëm katër minuta më pas, duke ngushtuar epërsinë me anë të Federico Di Francesco-s.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:2, ndërsa në të dytën, Atalanta realizoi edhe dy gola të tjerë, ku njëri ishte autogol, ndërsa tjetrin e shënoi Duvan Zapata në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Vlen të ceket se në këtë takim, nga minuta e 65-të u inkuadrua edhe Nedim Bajrami, por nuk arriti të lërë gjurmë.

Me këtë fitore skuadra e Atalanta-s ngjitet në vendin e gjashtë në tabelë me 14 pikë, kurse Empoli zë vendin e 11-të me nëntë pikë.

Ndeshja tjetër e zhvilluar në orën 15:00 mes Genoa-s dhe Sassuolo-s, ishte dramatike, e cila përfundoi në barazim 2:2.

Mysafirët e Sassuolo-s realizuan dy gola në 20 minutat e para me anë të Gianluca Scamacca-s, por Matia Destro arriti të ngushtojë shifrat në minutën e 27-të.

Pjesa e parë përfundoi me shifrat 1:2, teksa në të dytën mysafirët patën shumë raste për të ngritur epërsinë, por nuk e shfrytëzuan atë.

Kur u mendua se Sassuolo do shkojë drejt tri pikëve shumë të rëndësishme, reaguan vendasit duke barazuar rezultatin me golin e shënuar nga Johan Vasquez.

Barazim të rëndësishëm arriti edhe Udinese ndaj Bologna-s, pasi që ishin duke luajtur me një futbollit më pak në fushë, pas kartonit të kuq të Perreyra-s në minutën e 38-të.

Mysafirët e Udinese-s realizuan fillimisht golin e eërsisë në minutën e 67-të, por vendasit barazuan shifrat shtatë minuta para se të përfundonte koha e rregullt.

Ndërkohë, në ditën e dielë do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera në Serie a.

Fillimisht në ora 18:00 do të ballafaqohen Napoli dhe Torino, kurse në ora 20:45, do të zhvillohet derbi i javës së tetë, Juventus – Roma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore