Lajme

Asociacioni i Komunave të Kosovës kundër masave shtesë të Qeverisë për parandalimin e pandemisë


Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se Qeveria dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vendimin për masat e reja kundër pandemisë COVID-19 e kanë marrë pa u konsultuar me kryetarët e komunave.

“Ne si asociacion deri më tani nuk kemi marrë ndonjë vlerësim pozitiv sa i përket këtyre masave dhe mund të thuhet se me komunat nuk ka pasur ndonjë proces të mirëfilltë të konsultimit”, ka thënë Ibrahimi për Albanian Post.

Sipas tij tradita që ishte ndërtuar vitin e kaluar dhe këtë vit, për konsultimet paraprake me nivelin lokal nuk ndodhi këtë herë.

“Qeveria ndoshta nuk e sheh të domosdoshme këtë konsultim mirëpo kur vije te zbatimi i masave, është shumë më lehtë kur kemi një bashkëpunim të sinqertë dhe korrekt me nivelin lokal sepse në luftën kundër COVID-19 kryetarët e komunave kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke pasur bashkëpunim në mes nivelit lokal dhe atij qendror”, shtoi ai.

Ibrahimi, duke shpresuar që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim më të mirë në marrjen e vendimeve për masat anti-COVID, ka thënë se edhe kryetarët e komunave të Kosovës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me këto masa.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, për Albanian Post ka thënë se komuna e Gjilanit e ka kundërshtuar mbylljen totale të vendit dhe mbylljen e Gastronomisë.

“Si komunë, jemi kategorikisht kundër mbylljes. Kjo përkrahje na erdhi edhe nga shumë komuna tjera. Të mendosh për mbyllje totale, është t’ia shkaktosh vetës një greminë të thellë, nga e cila edhe ashtu kemi çaluar, ku nuk kemi për tu ngritur lehtë”, ka thënë Ismajli.

Ai ka theksuar se pandemia nuk ndalet duke ia vështirësuar gjendjen ekonomike bizneseve e familjeve.

Sipas tij, “nëse merret për bazë numri i rasteve në gjashtë mujorin e parë kur në Kosovë janë punuar rreth 500 teste ditore dhe numri i rasteve pozitive ka qenë 250 sosh, i bie që përqindja e infeksionit është rreth 50 për qind”.

Ndërsa “tani kur numri i testimeve është rritur në mbi pesë mijë në ditë dhe numri i rasteve pozitive varion nga 500 në 700 raste ditore i bie që përqindja e rasteve pozitive nuk është mbi 15 për qind”.

Po ashtu, Ismajli reagimin e tij e ka shfaqur edhe në Facebook ku ka thënë se Qeveria duhet të bëjë një balancë ndërmjet shtrëngimit të masave dhe dëmit sa më të vogël në ekonominë e Republikës.

“Ky veprim nga ana e tyre, është shumë i dëmshëm, dhe vetëm sa e keqëson gjendjen ekonomike, në një raport të drejtë bashkë me pandeminë. Duhet t’i ndajmë gjërat bashkë dhe ta nxjerrim më të mirën nga një gjendje e rënduar pandemike”, ka shtuar ai.

Shqetësimet e tij pas takimit virtual me ministrin Vitia, i ka shfaqur edhe kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, brenga e të cilit ishte ndihma për nivelin lokal nga ai qendror për të tejkaluar këtë situatë që sipas tij “është jashtëzakonisht e rënduar”.

Ai ka theksuar se ngarkesat e mëdha të spitaleve me pacientë, mungesa e stafit, kushtet jo të mira të punës për personelin shëndetësor janë disa nga faktorët për të cilët është diskutuar në takim.

Shqetësimet rreth masave të reja i ngriti edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka kërkuar që të ketë respektim rigoroz të masave dhe jo masa shtesë.

“Jemi për zbatim më konsekuent të masave që janë në fuqi e të kemi kujdes në aplikimin e masave shtesë”, pati thënë Latifi.

Qeveria e Kosovës miratoi të hënën masa të reja për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Po ashtu, nga data shtatë deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore