Asnjë gol në Grupin C: Anglia, Danimarka dhe Sllovenia kualifikohen, Serbia jashtë Euro 2024

SHFLETO
Vitjon Nina
25.06.2024 23:05
Loading Icons...

Dy ndeshje tejet monotone kanë qenë ato ndërmjet Anglisë dhe Sllovenisë si edhe Danimarkës dhe Serbisë, të dyja të vlefshme për Grupin C në Euro 2024 dhe të dyja të mbyllura pa asnjë gol.

Një situatë kjo, e cila lë në fuqi renditjen pas javës së dytë, ku Anglia rezulton e para me 5 pikë. Ndjek Danimarka me 3 pikë, e cila i zë vendin e dytë Sllovenisë, po me 3 pikë. Në bazë të kritereve të vendosura nga UEFA megjithatë, Danimarka është ajo e cila do të gëzojë pozitën më të mirë.

E fundit në grup ndërkaq, me vetëm 2 pikë, ka rezultuar Serbia, duke kryer kështu një fushatë zhgënjyese në Euro 2024 dhe larg pritshmërive fillestare, ku artikulohej edhe dalja nga grupi, duke parë përbërjen e tij.

Me mbylljen e këtij grupi fillojnë të formësohen ndërkaq edhe çiftet e para në fazën me eliminim direkt.

Kështu, çift i konfirmuar është ai mes Gjermanisë dhe Danimarkës. Një ditë më parë është konfirmuar edhe dueli mes Zvicrës dhe Italisë. Ekipet e tjera ndërkohë janë vendosur në pozitat përkatëse dhe presin ndeshjet e nesërme për të mësuar rivalët.

Një çift shumë i mundshëm për t’u përballur në fazën tjetër është ai mes Spanjës dhe Holandës, i cili mund të sjellë një duel tejet interesant, duke parë paraqitjet e ekipeve deri tani.

Sa i takon vendeve të treta, me rezultatet e Grupit C, Kroacia i thotë lamtumirë Evropianit, pasi nuk ka më shans për kualifikim me dy pikët e saj.

Sllovenia është ndërkaq e kualifikuar si vend i tretë, falë golavarazhit më të mirë se Hungaria, e cila ka po ashtu tre pikë.

Kjo e fundit shpreson në fitoret e Turqisë përballë Çekisë dhe të Portugalisë përballë Gjeorgjisë, për të marrë vendin e fundit të mbetur ndër të tretat më të mira.

Në grupin ku ndodhen Belgjikë, Ukrainë, Rumani dhe Sllovaki, gjithçka është e hapur dhe gjasat më të mëdha janë që tre ekipe të kalojnë grupin, nëse golavarazhet ruhen në diferenca të vogla, ose nëse njëra prej ndeshjeve rezulton në barazim.