Sport

Asllani: Ndeshja me Italinë do të jetë e veçantë, jam i lumtur me kaq minuta tek Inter-i


Kristjan Asllani foli para ndeshjes që kombëtarja e Shqipërisë do të ballafaqohet me atë të Italisë në miqësoren e 16 nëntorit që do të zhvillohet në “Air Albania”.

Asllani tha se kjo ndeshje do të jetë e veçantë për të, duke pasur parasysh faktin që ai jeton në Itali që nga mosha dy-vjeçare dhe deri më tani aty është zhvilluar si futbollist.

“Do jetë një ndeshje e veçantë për mua, jetoj në Itali prej moshës dy-vjeçare. Kam shumë shokë atje. Ndeshje e vështirë, por do provojmë të lumturojmë njerëzit tanë. Ngacmime jo, por më kanë pyetur se kur do luajmë, ku do rrinë ata dhe kështu gjërash. Mezi po e pres si ndeshje”, theksoi fillimisht Asllani.

“Italia ka nivel shumë të lartë, por ne do provojmë të bëjmë ndeshjen tonë, pasi kemi shumë kualitet. Gjërat shkojnë mirë kur skuadra fiton, kur nuk ndodh ka zëra. Grupi është bashkë, jemi të gjithë shokë dhe shumë të bashkuar. Le të vazhdojmë kështu”, shtoi mesfushori kuqezi.

Mesfushori i Inter-it tutje shtoi që synimi i tij është që ta bëjë një vend titullar në kombëtare, derisa u përgjigj pyetjeve të gazetarëve edhe për rastin ndaj Barcelonës, ku Asllani nuk e kishte pasuar topin te një nga shokët e skuadrës, i cili më pas u kritikua shumë.

“Përgjegjësia duhet, shpresoj të marr sa më shumë minuta në Kombëtare, që të marr besim te vetja. Rasti i Barcelonës? Normal që më vjen në mendje, por ekipi dhe të gjithë më kanë qëndruar afër. Ishte rast historik, por gjithsesi e kaluam turnin”, tha Asllani.

20-vjeçari foli edhe për formën që po kalon te klubi i tij, Inter-i.

“Jam lojtar i ri, kam përpara Brozovic dhe Calhanoglu, nga të cilët mund të mësoj. Jam i lumtur me kaq minuta që kam luajtur, nuk është e lehtë”, shtoi Asllani.

Në fund, mesfushori i lindur në Elbasan pati edhe disa fjalë për kombëtaren kuqezi dhe shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian.

“Nuk e di, por kjo mund të jetë Shqipëria më e fortë, pasi kemi lojtarë të fortë dhe teknikë. Shpresoj t’i bëjmë të lumtur të gjithë tifozët. Shorti i Euro 2024? Kemi shumë shanse të kalojmë”, përfundoi Asllani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore