Lajme

Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë”.

Kështu është shprehur Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka thënë se “numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë”.

Komenti i Abdixhikut ka të bëjë me disa lajme – përkundër se asgjë zyrtare – se Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve.

“Flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, ka shkruar Abdixhiku.

Në anën tjetër ai ka theksuar propozimin e LDK-së për shkurtimin e fushatave zgjedhore, për të cilën thotë se është propozim “i përkrahur” nga të gjitha partitë e tjera opozitare. Por, nuk kanë pranuar ende asnjë përgjigje nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm, por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, shtoi ai.

Madje, Abidxhiku ka potencuar se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është gati”, duke shtuar se derisa njëherë janë mbajtur zgjedhjet (parlamentare), në Kosovë gjatë këtij viti pandemik sipas tij, mund të mbahen edhe ato lokale më 17 tetor.

“Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka thënë ai.

“Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”, përfundoi Abdixhiku.

Ndërkohë, edhe Albert Krasniqi, nga organizata jo-qeveritare Demokraci Plus, ka komentuar mbi idenë e VV-së për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë.

Sipas tij, kjo po bëhet sepse partisë qeverisëse nuk po i dalin mirë numrat në fushatë.

“Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit”, ka shkruar në Facebook Krasniqi.

“Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik. Një gjë duhet pasur parasysh, që shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e shpërfaqur nga kjo Qeveri në gjithë situatën me pandeminë”, shtoi ai.

Ai ka thënë se “përtej kufizimeve ligjore për shtyrje të zgjedhjeve, nuk është as e nevojshme.

“E tërë çfarë duhet të bëhet është shkurtimi i fushatës zgjedhore në marrëveshje me të gjitha paritë politike. Gjatë kësaj periudhe të shkurtuar të fushatës të mos lejohen tubime publike përmbi numrin e lejuar nga IKSHPK-ja, dhe që secili aktivitet publik i fushatës të monitorohet nga inspektorët për respektimin e masave”, theksoi Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore