Lajme

ASK: Vetëm mbi 500 mijë persona janë regjistruar në dy javët e para


Komuna e Prishtinës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të hënën ka thënë se mbi gjysmë milioni qytetarë rezidentë dhe rreth 36 për qind e të gjitha objekteve janë regjistruar në dy javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Në një konferencë për media të hënën kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, ka thënë se procesi është duke vijuar ashtu siç e kanë planifikuar dhe pa ndonjë sfidë.

“Deri më tani janë regjistruar mbi 530 mijë persona, si dhe mbi 36 për qind e objekteve në Kosovë. Po flasim për popullsinë rezidente në Kosovë. Stafi është stabilizuar këto ditë, ka filluar intervistat në mënyrë masive”, tha Kastrati.

Ndërsa shtoi se ky proces është duke u zhvilluar në të gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht se në pjesën veriore është paralajmëruar për bojkotim të procesit.

“Të gjitha zonat janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim. Edhe komuniteti serb është duke marrë pjesë në të gjitha zonat dhe komunat. Jo në masë si në zonat e tjera, por ka filluar një regjistrim sado pak në javën e parë dhe presim që të ketë regjistrim edhe në atë pjesë”.

ASK-ja ka pritshmëri që regjistrimi i popullsisë do të përfundojë më herët sesa datat që kanë caktuar – 17 maj.

Pas paralajmërimit të Listës Serbe se komuniteti në komunat veriore s’do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, Kastrati, u kishte bërë thirrje atyre që të marrin pjesë në këtë proces sepse në të kundërtën do të përballen me shumë sfida në të ardhmen.

Kastrati, kërkesën e kishte bërë në një konferencë për media duke përmendur pasojat.

“Nëse nuk je i regjistruar pritjet janë që në të ardhmen shumë shërbime të mos i kenë, sepse nëse nuk merr pjesë në regjistrim duket sikurse nuk ekziston”.

“Kështu që i bëj thirrje posaçërisht komunitetit serb, ata duhet ta kuptojnë se regjistrimi i popullsisë nuk kthehet prapa. Mospjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë nënkupton që s’mund të marrësh pjesë në shumë shërbime”, ka thënë Kastrati.

Procesi zyrtarisht për regjistrimin e popullsisë nisi më 5 prill, në komunat veriore të Kosovës, të banuara me popullsi me shumicë serbe, është thënë se do të bojkotohet e në disa komuna të tjera është kërkuar të shtyhet.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore