Kosova

ASK-ja thotë se pritjet janë që Kosova do t’i ketë vetëm 1.6 milionë banorë


Ilustrim.

Vetëm 1.6 milionë banorë të Kosovës, supozohet se kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, sipas pritshmërive të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë i cili mbaroi më 24 maj.

Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se në muajin korrik do të publikohen rezultatet e para nga ky proces.

“Qytetarët të mos presin që të t’i publikojmë rezultatet të nesërmen. Rezultatet e para pritet të publikohen pas gjashtë muajsh, të dhënat e para publikohen në pjesën e parë të muajit korrik. Pritjet janë që Kosova do t’i ketë 1.6 milionë banorë”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se s’do të ketë një regjistrim tjetër i cili do t’ua mundësojë serbëve në komunat veriore që të regjistrohen.

Duke sqaruar se “regjistrimi i ardhshëm në Kosovë, pritet të mbahet në vitin 2031”.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill.

Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, dhe ashtu ndodhi.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në Veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Regjistrimi i serbëve në Veri do të shfaqte manipulimet me listat zgjedhore – “hezitimi, rezultat i institucioneve të Kosovës”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore