Lajme

AShAK distancohet nga Mehmet Kraja për analizën “shkencore”


Mehmet Kraja

Seksioni i Shkencave Sociale në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve (AShAK) është distancuar nga kryetari i saj, Mehmet Kraja, për shkak të dokumentit të publikuar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Seksioni i Shkencave Sociale në AShAK, përmes një komunikate për media, njoftoi se autor i tekstit të botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është vetë Kraja dhe se nuk kishte autorizim për publikim.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!”, thuhet në komunikatë.

Nga ky Seksion thonë se prej kohësh ia kanë “tërhequr vërejtjen” Krajës për “sjelljet imponuese e arbitrare”.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë qe ia ka tërhequr vërejtjen Kryetarit te ASHAK­ ut z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e qe po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është”.

“Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë perçarje me pasoja te renda për vet Akademinë”, thuhet mestjerash në komunikatë.

Seksioni i Shkencave Sociale ka kërkuar nga Kraja relfketim institucional për “dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”, ndërsa kanë paralajmëruar edhe inicimin e veprimeve statutore nëse Kraja s’reflekton karshi përgjegjësisë institucionale.

“Për shkak të papërgjegjësisë dhe veprimeve imponuese dhe arbitrare, Seksioni i Shkencave Shoqërore kërkon nga z. Kraja reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”.

“Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore”, përfundon komunikata e AShAK-ut.

Ndërkaq, lidhur me deklaratën e Seksionit të Shkencave Sociale të ASHAK-ut, përmes një sqarimi në rrjetin social Facebook, Kraja ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për tekstin e botuar muajin që shkoi, e që u komentua dhe u kritikua gjerësisht.

“E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”, shkroi ai.

Kraja njoftoi së më 17 janar të këtij viti, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës dhe duke parafrazuar procesverbalin e mbledhjes, të gjithë anëtarët e Kryesisë së AShAK-ut e kanë mbështetur dokumentin.

Ai është justifikuar duke thënë se “gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar”.

“Ndonëse nuk kishte obligim statutor (për çfarëdo publikimi është kompetente Kryesia), me propozimin e kryetarit, Kryesia vendosi që teksti i analizës t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Akademisë dhe me mesazhin e bashkëlidhur iu kërkua anëtarëve që për vërejtjet eventuale të shprehen me shkrim në një afat prej 10 ditësh (24 janar 2022)”, shtoi Kraja.

Megjithëse teksti, sipas versionit të publikuar s’kishte autor të përveçëm, Kraja tani thotë se “duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”.

Ndryshe, dokumenti prej 38 faqesh është e kritikuar dhe ka nxitur debat në shoqërinë kosovare për shkak të gjuhës së përdorur në përpjekje për të ofruar një “analizë” të përgjithshme rreth raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Analiza e AShAK-ut është denoncuar si një “pamflet politik” për arsye se shumë nga qëndrimet e shprehura përkojnë me ato të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se teksti nuk bazohet në shkencë por në formulime e botëkuptime nacionaliste.

Gjithashtu, përveç se ka lëshuar akuza të shumta ndaj lidhershipit të kaluar në Kosovë, duke i akuzuar për keqqeverisje, korrupsion e krim, analiza keqinterpreton Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Gjykatën Speciale.

Madje, për më tepër, AShAK-u e ka akuzuar edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe figurat e tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se e kanë futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore