Euro 2024

Asani beson se me pak fat kuqezinjtë mund t’ia dalin ndaj Spanjës


Sipas lojtarit të Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, me pak fat kuqezinjtë mund t’ia dalin një sipërmarrjeje thuajse të pamundur ndaj Spanjës, për të provuar më pas kualifikimin për fazën me eliminim direkt në Euro 2024.

Asani së fundmi ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, ku ka përshkruar se si eksperienca e fituar në dy ndeshjet e para, mundet të shërbejë fare mirë ndaj Spanjës, edhe pse këta të fundit kanë cilësi lojtarësh shumë të lartë.

“Kemi luajtur ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Italia dhe Kroacia. Ata luajnë futboll të nivelit të lartë dhe Spanja ka gjithashtu talente të mëdha. Ne kemi mësuar shumë si një skuadër në Euro2024, pasi këto ndeshje janë ato që mund të na përmirësojnë si futbollistë”, u shpreh Asani fillimisht në intervistë.

Më tej, ai shtoi se Kombëtarja e ka analizuar dhe studiuar Spanjën.

“Nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të marrim tre pikët, edhe pse do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nëse do të kemi pak fat, mund t’ia dalim”.

Në mbyllje, nuk e kurseu as pjesën e spektaklit dhe atë mediatike, ku ka qenë tejet i komentuar për këpucët e tija, me një dizajn të veçantë me yllin e video-lojërave të Nintendo, Super Mario.

“Dëshiroja të kisha një dizajn argëtues ndaj zgjodha SuperMarion. Ndoshta këpucët e mia janë më të famshme në Euro2024 se sa unë”, përmbylli Asani duke qeshur intervistën e tij.

Shqipëria luan shansin e fundit për kualifikim të hënën e 24 qershorit në orën 21:00, përballë Spanjës.

Në rast fitoreje, gjasat për kualifikim janë shumë të larta, qoftë si vend i dytë në grup, por edhe si një ndër katër vendet e treta më të mira nga gjashtë grupet.

Megjithatë, një sy duhet mbajtur edhe për nga ndeshja mes Kroacisë dhe Italisë, e cila luhet paralelisht me atë të Shqipërisë.

Në rast të një fitoreje të Shqipërisë dhe një të Kroacisë, gjasat janë që kuqezinjtë të kualifikohen drejtpërdrejt, për shkak të golavarazhit më të favorshëm, pasi Kroacia është aktualisht në -3, ndërsa Shqipëria, në -1.

Italia ndërkaq, mjafton të barazojë, që të rrëmbejë vendin e dytë në grupin B.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore