Stil

Artistja tuniziane e tatuazheve risjell identitetin e harruar


Artistja tuniziane e tatuazheve, Manel Mahdouani, po ringjall dizajnet tradicionale Berber që konsideroheshin prej kohësh jo në modë.

Këto tatuazhe po fitojnë popullaritet në mesin e brezit të ri.

Tani, pak tunizianë flasin gjuhët Berber-e dhe shenjat e jashtme të këtij identiteti kulturor shpesh i nënshtrohen motiveve që gjenden në punimet artizanale të prodhuara në masë për turistët.

Mes tunizianëve, ata shiheshin si simbole të një të kaluare të varfër, por disa të rinj tani po interesohen për rrënjët e tyre dhe i drejtohen 35-vjeçarës për t’i lidhur me tatuazhet.

“Çdo simbol dhe tatuazh ka një kuptim”, ka treguar Loula, e cila ka bërë një sërë pikash blu të errëta në pjesën e sipërme të gjoksit. A”jo ka treguar se e çmon mënyrën se si çdo shenjë nënkupton një pjesë të identitetit fisnor ose familjar të një gruaje.

Për të, kjo nënkupton historinë e një gruaje të shkruar në të.

Teksa tatuazhet u përhapën në mbarë botën, disa tunizianë të rinj e ndoqën trendin, por pa u kthyer prapa në traditën e tyre të artit të trupit.

Mahdouani ka treguar se shumë tunizianë ishin rritur me idenë për t’i parë tatuazhet Berber si të klasit të ulët ose të pavlerë.

“Doja ta ndryshoja këtë ide. Ashtu siç ka tatuazhe maori dhe fisnore të tjera të njohura në të gjithë botën, ne duhet të krenohemi gjithashtu me një traditë që daton gjashtë mijë vjet më parë në Tunizi”, ka thënë ajo.

Mahdouani ka hulumtuar traditën tradicionale të tatuazheve Berber, duke mbledhur dizajne dhe duke mësuar rreth zakonit të përdorimit të artit të trupit për të shmangur sëmundjet ose fatin e keq përmes simboleve të veçanta në pjesë të ndryshme të trupit.

Në një fshat jashtë qytetit qendror Kairouan, Mahdouani ka pyetur Seiada Issaoui, një grua e moshuar me shenja boje në ballë, faqe, hundë dhe mjekër, rreth përhapjes së tatuazheve kur ishte e re.

“Të gjitha ishin me tatuazhe. Gjithashtu në këmbë, krahë dhe gjoks”, i ka thënë asaj Issaoui.

“Qëllimi im është t’u bëj të ditur të rinjve se kjo është pjesë e qytetërimit, vendit dhe historisë së tyre dhe nëse nuk e duan vetë, të paktën do ta dinë se çfarë do të thotë kur e shohin atë në një grua në rrugë”, ka thënë ajo.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore