Art&dizajn

Artisti shqiptar që frymëzoi Picasso-n


Pikëtakimi midis dy mendjeve artistike dhe bërja bashkë e dy ideve të kundërta mund të tejkalojë mbresat e kohës.

Gjon Mili – pionieri i imazheve stop-motion – shtroi terrenin e bashkimit të dritës dhe lëvizjes në fotografi.

Pjesë e këtij arti eksperimental ishte legjendari Pablo Picasso.

Gjon Mili u lind në vitin 1904 në Korçë.

Gjon Mili

Pasi u shkollua në Kolegjin Kombëtar Gheorghe Lazăr në Bukuresht, migroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923.

Mili studioi për inxhinieri elektrike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts-it (MIT).

Fillesat e kërkimit

Pas diplomimit, ai punoi si inxhinier ndriçimi për Westinghouse dhe kreu eksperimente me Harold Edgerton të MIT.

Këto eksperimente çuan në zhvillimin e dritave me fije tungsteni për fotografinë me ngjyra, një zbulim i madh në industri.

Gjatë kësaj kohe, Mili po eksperimentonte edhe me imazhe stroboskopike dhe stop-action.

Këto risi, së bashku me praktikën autodidakte të fotografisë së Gjon Milit, tërhoqën vëmendjen e revistës amerikane “Life”.

Në vitin 1939, Mili filloi punë si fotograf i pavarur pranë saj.

Inovacionet e tij si studiues i ndriçimit i kishin mundësuar atij të portretizonte mekanikën e kinetikës njerëzore në një mënyrë krejtësisht të re.

Kjo, duke përdorur një teknikë të shkrepjes së shpejtë në fotografinë e tij që lejonte disa imazhe të shkrepeshin në një fragment të vetëm.

Pablo Picasso & Gjon Mili

Në vitin 1949, Gjon Mili u dërgua nga revista Life në shtëpinë e Pablo Picasso-s në Vallaruis të Francës Jugore për një seancë fotografike.

Picasso i dha Milit vetëm 15 minuta nga koha e tij. Megjithatë, pasi Mili i tregoi Pikasos imazhet e tij të patinatores së famshme në akull, Carol Lynne, duke u rrotulluar dhe duke kërcyer me dritat e vendosura në patinat e saj; Picasso u mahnit.

Pas seancës së tij prej 15 minutash, piktori ishte i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm.

Në fakt, Gjon Mili bashkëpunoi me Pablo Picasso-n gjatë pesë seancave shtesë fotografike për të krijuar mbi tridhjetë imazhe ikonike me dritë.

Duke përdorur një llambë të vogël elektrike dore, Mili e fotografoi artistin në një dhomë të errët, me dy kamera – njëra e vendosur anash, tjetra përpara.

Duke lënë të hapura lentet e kamerave, Mili ishte në gjendje të kapte dritën e Picasso-s që lëvizte nëpër ajër, duke përshkruar format e minotaurëve, figurave, firmës së tij dhe vazove me lule.

Kur imazhet u shfaqën në Muzeun e Artit Modern në New York City në vitin 1950, Picasso ishte në gjendje të shihte për herë të parë vizatimet që krijoi me Milin, të padukshme me sy të lirë në momentin e konceptimit të tyre deri në procesin e fotografimit.

Kjo seri u bë e njohur si “Vizatimet e Dritës së Pikasos”, skica kalimtare që jetojnë përmes fuqisë së fotografisë novatore të Milit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore