Muzikë

Artistët në zi – pas tragjedisë në Bullgari


Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga artistët e estradës shqiptare, pas aksidentit tragjik të ndodhur në orët e para të 23-nëntorit në Bullgari, ku mbetën të vdekur të paktën 46 persona, ndërsa 45 prej tyre ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Rep artistja Tayna, përmes një fotografie të publikuar në llogarinë e saj të Instagram-it, ka thënë se lutet për viktimat që humbën jetën.

Tayna – Rep Artiste

“Lutjet tona shkojnë për udhëtarët nga Maqedonia e Veriut që humbën jetën në Bullgari”, ka shkruar Tayna.

Pos Taynas, i pikëlluar është shprehur edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës njëherësh këngëtari, Labinot Tahiri, i cili ka publikuar një status ngushëllues në llogarinë e Facebook-ut.

Labinot Tahiri – Këngëtar.

“Familje të dashura, ne ndjehemi thellësisht me dhimbje shpirti sikurse ju në këto momente , për humbjen e anëtarëve tuaj ku vdiqën afro 45 persona”.

“Ju shprehim ngushëllimet me të sinqerta nga ne dhe familjet tona”, ka shkruar Tahiri në statusin e publikuar në Facebook.

Ndërkohë nga kjo tragjedi është prekur direkt këngëtarja e njohur e zhanrit të muzikës popullore, Ganimete Abazi, pasi që në mesin e viktimave ishin edhe katër familjarë të saj.

Kryefamiljari, Avni Ahmeti që humbi jetën me gruan e tij dhe dy djemtë e tyre binjakë, ka qenë djali i tezës së këngëtares së mirënjohur.

Ganimete Abazi – Këngëtare e zhanrit popullor.

“Dhimbje,trishtim,lot! Se kam mendu që kështu do ikni! Sa të vështirë e kam tani me ardhë në Shkup e mos me ju taku! Të pata djalë teze, por të deshta si vëlla o Avni Do të na mungoni shumë! Pushoni në parajsë engjujt e mi”, ka shkruar ajo.

Edhe Ledri Vula nuk ka mbetur pa reaguar. Ai përmes një storie të postuar në Instagram, u ka shprehur ngushëllimët të gjithë familjarëve të viktimave.

Ledri Vula – Rep Artist.

“Ngushëllime të gjithëve për ata që humbën jetën në aksident trafiku në Bullgari”, ka shkruar Vula.

Në lidhje me tragjedinë në Bullgari, në një postim të sajin në Instagram, këngëtarja, Elvana Gjata, ka shkruar – “Me zemër dhe shpirt pranë atyre që humbën të afërmit në këtë tragjedi të tmerrshme. Lutem për humbjet e jetëve në këtë aksident tragjik”.

Elvana Gjata – Artiste.

Reagime rreth aksidentit në fjalë ka pasur edhe nga artistët e tjerë, përfshirë Melinda Ademin, Capital T e Yll Limanin.

Pamje nga aksidenti në Bullgari.

Ndryshe, sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

“Mes viktimave kishte dhe fëmijë. Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje”, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

Shumica e viktimave ishin nga Maqedonia e Veriut, tha për BTV-në një zyrtar nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje.

Deri më tani hetimet dyshojnë se dy janë shkaqet që kanë dërguar në këtë aksident tragjik.

E para ka të bëjë për një defekt teknik të mjetit dhe e dyta me përgjumjen e shoferit.

Shërbimi Hetimor Kombëtar ka marrë përsipër hetimin për shkak të numrit të madh të viktimave.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore