Shqipëria

Artikulli i “The Economist”, reagon Ministria pas deklaratës së selisë blu


Pas deklaratës së bërë nga Partia Demokratike se Qeveria shqiptare “ka fshehur vdekjet dhe se pandemia është keqmenaxhuar”, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ministria ka garantuar qytetarët se janë raportuar me përpikmëri të gjitha rastet e fataliteve të raportuara nga spitalet COVID-19, përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, theksoi se një publikim i bërë nga media “The Economist” mbi rastet faktike të COVID-19, vërteton tezën e demokratëve.

Ndërsa ministria shprehet se, selia blu e ka keqinterpretuar dhe përdorur artikullin e “The Economist”.

“Shkrimi referon një përllogaritje (estimate) të fataliteteve shtesë”, thekson Ministria e Shëndetësisë.

Sipas kësaj përllogaritjeje, në të gjithë botën, numri i vdekjeve shtesë nga COVID-19 dhe pasojave të tij, vlerësohet të jetë katër herë më i lartë se numri i fataliteteve të raportuara nga Covid-19 (nga rreth 5.5 milion fatalitete në botë, vdekshmëria shtesë si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rreth 19.1 milion).

Edhe në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi të bazuar mbi simulime statistikore, përcaktohet i njëjti koeficient si mesatarja botërore.

Artikulli i “The Ekonomist”

Sipas prestigjiozes britanike, shifrat e vdekjeve në Shqipëri për shkak të COVID, përllogaritet nga 12 mijë deri në 15 mijë.

Ndërkaq, vdekjet zyrtare, janë në 3 mijë e 247.

Sipas përllogaritjes së “The Economist”, përllogaritja kundrejt vdekjeve faktike shkon në më shumë se 300%.

Gjithsesi, media britanike, në të gjithë botën, shifrat i nxjerr në të tillë referencë.

Ndërkohë që janë 5.5 milionë njerëz të deklaruar si të vdekur nga COVID-19, përllogaritja shkon deri në 22.4 milionë. Pra, një përllogaritje po aq e lartë sa ajo e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore