Film

Arti në zi, shuhet aktorja e mirënjohur Edi Luarasi


E premtja e 3 dhjetorit shënoi ditë zie për artin shqiptar, pas lajmit se është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur, Edi Luarasi.

Lajmin e ka bërë me dije djali i saj.

Fjalët ngushëlluese, në kujtim të artistes, kanë qenë të shumta, të publikuara në rrjetet sociale nga miq dhe të afërt me aktoren.

Ndër ta përmendim shkrimtaren Edlira Dones, e cila shkruan: “sapo mësova se Edi Luarasi ka ndërruar jetë. A nuk ishte thjesht një aktore e shkëlqyer. Mbi të gjitha ajo ishte një partnere e shkëlqyeshme e jetës dhe një nënë e mrekullueshme për Lean dhe Eldonin”.

Dones vijon shkrimin e saj, duke e përshkruar Luarasin si një grua të shkëlqyer që “nuk palosej”.

“Vuajti dhe jetoi tmerrin, por kurrë nuk e përkuli kokën. Jetë të humbura nën një diktaturë. Historitë që në ditët e sotme pak njerëz do të donin t’i dëgjonin. Një lamtumirë e fundit për Edi Luarasi”, shkruan ajo.

Shkrimtarja shprehet se, në kujtesën e saj, Luarasi do të ngelet si një vajzë 8-10 vjeçare.

“Do të mbetesh ajo gruaja e bukur, që doli nga shtëpia me hap të lirë dhe të frikshëm, dhe unë dhe dy kushërinjtë e mi të dashur nga banesa poshtë tëndes, të shikonim”.

Edhe profesori i njohur, Përparim Kabo, ka reaguar ndaj lajmit të hidhur për largimin nga jeta të aktores.

“Një lajm i trishtë, u fik Edi Luarasi… pushoi zemra e një gruaje fisnike, e një mirditoreje trime që i bëri ballë diktaturës duke mbajtur familjen dhe nderin e saj… Artistja sfidante e ‘Njollave të Murrme’… ajo që u përndoq nga teatri dhe punoi si rrobaqepëse, por u rikthye me ‘Kthimin e Damës Plakë’”, shkruante Kabo.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar përmes një postimi në Twitter për ndarjen e artistes nga jeta. Ai ka shprehur “trishtim e thellë për lajmin.

“Edhe në vitet e errëta të regjimit Edi Luarasi ndriçoi në skenën shqiptare me talentin e saj. As diktatura nuk i’a errësoi dot shkëlqimin edhe pse u detyrua të largohej nga skena”, shkruan Basha.

Kush ishte Edi Luarasi?

Ajo do të lindte në Tiranë, në vitin 1940, dhe gjithmonë do të kujtohet si aktorja e njohur shqiptare.

Që në moshë të re do të debutonte në skenë. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.

Spektatori duartrokiste “Motrat Mirdita”.

Luarasi do të diplomohej si aktore në vitin 1963, duke u emëruar më pas aktore në Teatrin Popullor.

Roli i parë i saj ishte Vera, në dramën “Shtëpia në bulevard”, më 1963, me regjisor Kujtim Spahivoglin

Më pas, në dhjetë vjet, do të vinin një sërë rolesh të arrirë.

Veçojmë Lenën te “Doktor Aleksi”, Kordelja te “Mbreti Lir”, Cuca te “Cuca e maleve”, Kristina te “Fytyra e dytë” etj.

Aktorja do të lidhte martesë me regjisorin e mirënjohur Mihal Luarasi.

Më 22 janar 1974, karriera e saj si aktore do të ndërpritej: për arsye politike, përjashtohet nga Teatri Kombëtar.

Rikthimi i Luarasit

Luarasi u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz të rolit të damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.

Ajo interpretoi edhe në 1995-n në dramën “Hekurat”. Më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve” etj. Ka interpretuar pak role në filmin artistik.

Ajo mban titullin “Artiste e Merituar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore