Kosova

Arsyetimi i MPJ-së për këshilltarin që e paguan 7500 euro: Do të depërtojë ne vendet që s’e kanë njohur Kosovën


Ministria e Punëve të Jashtme

Pagën që ia jep për plotë 7 mijë e 500 euro Gani Jakupit – i angazhuar si “këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike” – Ministria e Punëve të Jashtme, e drejtuar nga Donika Gërvalla, ka tentuar që ta arsyetojë, duke thënë se Jakupi do të angazhohet për të depërtuar tek vendet që se kanë njohur Kosovën, dhe se e njëjta është në përputhje me ligjin.

“Kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore”, kanë thënë nga MPJ në një komunikatë për media të premten.

Sipas kësaj ministrie, në përpjekje për ta arsyetuar këtë pagë tejet të lartë, “kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj”.

Ngjashëm siç tha Gërvalla në raportimin e saj në Komisionin për Punë të Jashtme, sipas të cilës paga e Jakupit është një “shumë modeste” për atë se çfarë ai përfaqëson, kanë thënë edhe nga zyra e saj, duke e lavdëruar personalitetin e këshilltarit që paguhet 7 mijë e 500 euro.

“Përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij. Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë”.

“Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”.

Tutje, nga ministria ku drejton Gërvalla kanë pohuar është e rëndësishme të theksohet se sa i përket përmbajtjes së kontratës dhe “posaçërisht shumës së përmendur në media, të gjitha procedurat e ndjekura i janë përmbajtur me fanatizëm ligjeve të Republikës së Kosovës”.

“Aq më tepër që shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel. Shuma në fjalë nuk i tejkalon në asnjë aspekt standardet e kontratave të ngjashme të konsulencës, të cilat kanë si synim depërtimin diplomatik në grupe shtetesh dhe në fusha të ndryshme dhe nuk e tejkalon ndjeshëm shumën e kostos së një diplomati të lartë të Republikës së Kosovës në Evropën Perëndimore”.

Ndërkaq, nga MPJ kanë theksuar se në angazhimin e konsulentit të jashtëm, pra Jakupit, “nuk ka  pasur asnjë konflikt të interesit, ndërkohë që gjatë procesit e përzgjedhjes, sikur edhe në të gjitha rastet e tjera, faktor ka qenë ekspertiza dhe kompetenca profesionale dhe dobia për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë”, teksa kanë shtuar se “publiku i gjerë është i ndërgjegjshëm që në të kaluarën ka pasur kontrata 50-fish më të shtrenjta, por me rezultate shumë herë më modeste sesa kontrata e përfolur gjatë këtyre ditëve”.

“Natyra e aktivitetit diplomatik dhe instrumenteve specifike të përdorura për arritjen e objektivave të politikës së jashtme, jo vetëm në Kosovë, është e tillë që publikimi i informacioneve të detajuara është i destinuar të dëmtojë seriozisht diplomacinë dhe interesat e Republikës së Kosovës. Kjo vlen posaçërisht për të gjitha përpjekjet e Kosovës për kontakte dhe vendosje bashkëpunimi me shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si dhe shtetet, në të cilët qasja e diplomacisë sonë zyrtare është e kufizuar”.

“Republika e Kosovës ka kaq shumë qytetarë të saj anë e mbanë botës, të cilët me gjithë suksesin e tyre të jashtëzakonshëm profesional në shumë fusha të ndryshme, asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre. Krahas karrierës së tyre profesionale, ata angazhohen maksimalisht në kapërcimin e sfidave të ndryshme, me të cilat Kosova është përballur dhe vazhdon të përballet përgjatë procesit të forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Për këtë përkushtim iu takon një falënderim i madh”.

Nga MPJ kanë bërë të ditur se edhe në të ardhmen ky dikaster nuk do të reshtë së kërkuari dhe mundësuari “kontributin e të gjithë atyre që kanë vullnet dhe mundësi të ndihmojnë në fusha të ndryshme të diplomacisë, për ta vendosur Kosovën në vendin e merituar në arenën ndërkombëtare si Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike”.

Gërvalla e ambasadori Bajrami angazhojnë këshilltar me rrogë 7 mijë e 500 euro në muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore