Adrian Aliaj, menaxher i futbollistit të Kosovës, Amir Rrahmani dhe Lulzim Zhegrova, babai i futbollistit tjetër dardan Edon Zhegrovës, kanë treguar arsyet e mungesë së futbollistëve të Napolit dhe Lillit në ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit që do të zhvillohet sonte në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
Aliaj në një bisedë me gazetarin Arlind Sadikun, ka thënë se vendimi ka qenë i përbashkët, mes lojtarit, trajnerit të Kosovës dhe Napolit që Amiri të mos grumbullohet kësaj radhe, meqenëse “Kosova nuk ka ndonjë objektiv konkret”.
“Herën e fundit, ai u lëndua te kombëtarja dhe ende nuk e ka marrë veten mirë. Amiri ka dhënë gjithçka për Kosovën, ai e la kombëtaren e Shqipërisë për Kosovën. Nëse Kosova do të ishte duke luftuar për kualifikim, normalisht që Amiri do të vinte”, tha Aliaj.
Ndërkaq babai Edon Zhegrovës, Lulzimi ka treguar arsyen e mungesës së djalit të tij për tri ndeshjet e Kosovës në nëntor.
“Lille e ka liruar Edonin për ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë. Ai ka pasur shumë dëshirë të vijë, mirëpo Federata i ka thënë meqë nuk po të lirojnë për ndeshjen me Izraelin, kemi marr vendim mos të ftojmë për këto dy ndeshje. Ky është realiteti”, theksoi Zhegrova.
Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit do zhvillohet nën masa të rrepta sigurie
Ndryshe, nën masa të rrepta sigurie pritet të zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë siguri të përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtim të masave të sigurisë, ndërmarrje të masave të nevojshme policore, parandalim dhe luftim të dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme.
Mundësia që ndeshja të zhvillohej pa praninë e tifozëve u përfol në rrjetet sociale, pasi që Kosova – vend me shumicë myslimane – do të mund të gjobitej dhe ndëshkohej nga UEFA, nëse në stadium do të ndodhte ndonjë incident, shkaku i luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit militant që kontrollon Rripin e Gazës.
Kosova dhe Izraeli janë pjesë e Grupit I në kualifikuese. Në takimin e parë, skuadrat u ndan në barazim 1-1.
Aktualisht, Grupi I kryesohet nga Rumania me 16 pikë, ndiqet nga Zvicra me 15 pikë, Izraeli 11 pikë, Kosova 7 pikë, Bjellorusia 6 pikë dhe Andorra 2 pikë.