Sport

Arsyeja që po largohet Maldini


Drejtorët sportivë, Paolo Maldini dhe Frederic Massara, po largohen nga Milan-i pas tensioneve me pronarin e klubit, Gerry Cardinale dhe pikëpamjeve të ndryshme për të ardhmen e kuqezinjve.

Massara dhe Maldini u takuan me Cardinale të hënën, por sipas disa raporteve, samiti nuk zgjati shumë. Mezi 35 minuta, sipas “La Repubblica”.

Mediat italiane pretendojnë se Maldini dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë u shkarkuan për shkak të mosmarrëveshjeve me Cardinale për të ardhmen e klubit. Klubi pritet të njoftojë së shpejti largimin e tyre.

Maldini kërkoi më shumë investime nga pronarët e klubeve, ndërsa Cardinale thuhet se ishte i pakënaqur me nënshkrimet e verës të kompletuara, veçanërisht nga Charles De Ketelaere dhe Divock Origi.

Gazetari italian, Luca Bianchin, shkroi në edicionin e shtypur të së martës të “La Gazzetta dello Sport” se Maldini donte të nënshkruante me disa lojtarë me përvojë gjatë verës, nga Marko Arnautovic te Domenico Berardi, por vizioni i “RedBird” është më i orientuar drejt lojtarëve të rinj që mund të “lulëzojnë” në klub.

Cardinale është gjithashtu i pakënaqur me rezultatet e skuadrës në Serie A. Kuqezinjtë e mbyllën sezonin në top katërshte, por kjo erdhi vetëm falë dënimit të Juventus-it me minus 10 pikë.

Milani nuk pritet të zëvendësojë Maldini-n dhe Massara-n dhe duhet të promovojë shefin e skautit Geoffrey Moncada, duke punuar së bashku me CEO-n e ri, Giorgio Furlani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore