Lajme

Arsenijeviç: Do t’i vendosi flamujt e pakicave para Qeverisë së Kosovës – institucionet s’janë veç të shqiptarëve


Aleksandër Arsenijeviç

Kryetari i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa Serbe”, Aleksandër Arsenijeviç, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se më 14 qershor, në ora 12:00, do t’i vendosë flamujt e komuniteteve të njohura me Kushtetutën e Kosovës para qeverisë në Prishtinë.

Kosova, sipas tij, është themeluar në bazë të parimit të multi-etnicitetit dhe kjo duhet të shprehet edhe me anë të flamujve para qeverisë, duke kundërshtuar kështu idenë e vendosjes së flamurit të shtetit shqiptar në objektin e ekzekutivit ngase është “simbol kombëtar veç i komunitetit shqiptar”.

“Kosova është themeluar në bazë të multietnicitetit të premtuar dhe të garantuar me kushtetutë, sipas së cilës të gjitha institucionet janë të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve”, theksoi politikani i ri serb nga veriu i Mitrovicës.

“Megjithatë, kemi qenë dëshmitarë se në shumë institucione qendrore, pranë flamurit të Kosovës është flamuri i Shqipërisë, por jo edhe flamujt e komuniteteve të tjera të njohura me Kushtetutë në Kosovë”, shtoi ai.

Arsenijeviç ka ftuar edhe aktorë të tjerë politikë dhe organizata joqeveritare shqiptare dhe nga komunitetet tjera që mbrojnë sundimin e ligjit t’i bashkohen atij dhe të mbështesin këtë aksion për promovimin e multi-etnicitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore