Sport

Arsenali ndjek “Modricin e ri”


Arsenali po planifikon një lëvizje për një lojtar që është quajtur “Luka Modric i ri”.

“Topçinjtë” kanë shpenzuar më shumë se 200 milionë funte këtë verë, duke transferuar lojtarë të shumtë, sidomos në repartin e mesfushës.

Së pari Arsenali nënshkroi Kai Havertz nga Chelsea në një marrëveshje prej 65 milionë funtesh. Më pas ata sollën Jurrien Timber nga Ajax për një tarifë transferimi që mund të rritet në 38.5 milionë funte.

Vetëm një ditë pas mbërritjes së Timber, Arsenali njoftoi nënshkrimin rekord të klubit prej 105 milionë funte të anglezit Declan Rice.

Pavarësisht nga shpenzimet e tyre të mëdha për transferime deri më tani, Arteta la të kuptohej se “Topçinjtë” mund të përfundonin akoma më shumë transferime gjatë kësaj vere.

“Le të shohim. Ka ende shumë kohë në treg dhe pritshmëri me disa nga lojtarët tanë, kështu që ne do të duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat në dy javët e ardhshme,” tha Arteta për “Sky Sports”.

“Ne do të jemi vigjilent. Ka ende kohë për të bërë gjëra. Ka ende kohë për dalje padyshim, kështu që jam i sigurt se gjërat do të lëvizin”, shtoi tekniku i londinezëve

Sipas “Express.co.uk”, Arsenali po ndjek mesfushorin e Dinamo Zagrebit, Martin Baturina, i cili ishte një nga yjet e Kampionatit Evropian U21 të kësaj vere në Rumani dhe Gjeorgji.

20-vjeçari krahasohet me Modric-in në vendlindjen e tij, për shkak të peshës së tij të pasimeve dhe kontrollit të topit në mesfushë.

Baturina, i cili nënshkroi një marrëveshje të re në prill, bëri 48 paraqitje për Dinamon në të gjitha garat në sezonin e kaluar, duke përfshirë 11 paraqitje në Ligën e Kampionëve. Në atë kohë ai shënoi gjashtë gola dhe regjistroi 13 asistime të tjera për kampionët kroatë.

Sipas “Express”, burime pranë Dinamos besojnë se Baturina është një lojtar me respekt të lartë në Arsenal pasi ata vazhdojnë të ndërtojnë për të ardhmen.

Edhe pse një transferim nuk duket të jetë i afërt, klubi thuhet se do të monitorojë lojtarin sezonin e ardhshëm.

Baturina, i cili gjithashtu ka qenë subjekt interesimi nga klubet italiane dhe gjermane, raportohet se do të kushtonte rreth 10 dhe 15 milionë funte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore