Arsenali izraelit që shtyp Hezbollahun

Buxheti i luftës së Hezbollahut është rritur, por nuk krahasohet me makinerinë e luftës së Jerusalemit
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
01.10.2024 12:56
Loading Icons...

Lufta e tretë në Liban vë përballë dy forca shumë të ndryshme, një shtet sovran, Izraelin, kundër një organizate (lëvizje, parti, milici) Hezbollah, i cili nuk korrespondon me një komb të vërtetë, pavarësisht se ka një ndikim të madh në Liban.

Janë dy realitete të ndryshme ushtarake në hartën e tyre gjenetike.

Krahu i armatosur i Partisë së Zotit ka bërë hapa të rëndësishëm në pajisjet e saj të luftës, pas kërcimit të regjistruar tashmë në konfliktin e vitit 2006.

Hezbollahu, një nga grupet joshtetërore më të armatosura në botë, mburret me armë, duke përfshirë raketa precize, dronë dhe pretendon se mund të godasë të gjitha pjesët e Izraelit.

Arsenali i tij i madh i raketave numëron deri në njëqind mijë copë.

Ai merr armë dhe para nga Irani që arrijnë në qindra miliona dollarë në vit, veçanërisht në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2021, lideri i ndjerë Hassan Nasrallah shpalli arritjen e njëqind mijë luftëtarëve, megjithëse kjo u pa nga disa vëzhgues si një “zgjerim artificial” për qëllime propagandistike.

Në vitin 2022, Instituti për Studime Strategjike vlerësoi se grupi mund të kishte deri në 20 mijë anëtarë aktivë.

Njerëzit e tij janë të ngurtësuar nga beteja, pasi kanë luftuar gjerësisht në Siri në mbështetje të presidentit Bashar al Assad dhe kundër Shtetit Islamik, dhe gjithashtu mund të shfrytëzojë njësi shumë efektive të forcave speciale.

Konsiderohet gjerësisht si anëtari më i fuqishëm i rrjetit të mbështetur nga Irani i njohur si Boshti i Rezistencës dhe që përkon me Gjysmëhënën Shia, si dhe ka ndikim të rëndësishëm mbi Libanin.

Grupi ka qenë gjithashtu një burim frymëzimi dhe mbështetjeje për forca të tjera të mbështetura nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme, për shembull në Irak.

Dhe ai mori pjesë në luftimet në shtetin fqinj në mbështetje të milicive shiite.

Ai është gjithashtu aktiv në Jemen, ku ka ofruar lloje të ndryshme “konsulence” (stërvitje dhe përgatitje për përdorimin e raketave) në mbështetje të Houthis, të cilët mund të ndërhyjnë vetë në mbështetje të formacionit libanez duke sulmuar objektiva në territorin e shtetit hebre.

Megjithatë, brenda vendit, Hezbollahu është kritikuar për aleancat politike që ka krijuar, dhe më shumë se disa në Liban kanë frikë se konflikti me Izraelin do ta tërheqë vendin në luftë gjithëpërfshirëse.

Makina e luftës izraelite është në një shkallë shumë të ndryshme.

Sipas Bilancit Ushtarak 2023 të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), shteti hebre ka 169 mijë e 500 ushtarë aktivë në ushtri, marinë dhe forcat ajrore.

465 mijë të tjerë përbëjnë forcat e saj rezervë, ndërsa 8 mijë janë pjesë e paraushtarakëve të saj.

Fuqia tokësore krenohet me mbi 2 mijë e 200 tanke dhe 530 artileri, fuqia ajrore krenohet me 339 avionë luftarakë, duke përfshirë 309 avionë sulmi tokësor, 196 avionë F-16, 83 avionë F-15, 30 avionë F-35, 142 helikopterë sulmues.

Ushtria detare nuk është veçanërisht e madhe, por është padyshim një levë shtesë në krahasim me Hezbollahun, i cili duket se nuk ka asnjë.

Flamurtari i shtetit hebre është Iron Dome (Kupola e Hekurt), sistemi i lëvizshëm i mbrojtjes ajrore i krijuar për të kapur dhe shkatërruar raketa me rreze të shkurtër duke përdorur teknologjinë e radarit.

Ajo u zhvillua në vitin 2006, menjëherë pas luftës me Hezbollahun, ku mijëra raketa u hodhën në Izrael.

Duke hyrë në veprim në vitin 2011, Iron Dome u krijua me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Së fundi, Izraeli besohet të ketë aftësi të mundshme bërthamore, përsëri sipas IISS, i cili thotë se shteti hebre posedon raketa Jericho dhe avionë të aftë për të mbajtur koka bërthamore.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për Albanian Post