Shqipëria

ARRSH: Grupet e punës në terren për pastrimin e rrugëve në veri të vendit


Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), përmes një njoftimi për gjendjen e akseve rrugore në vend, ka bërë me dije se situata paraqitet më problematike në rajonin verior.

“Në rajonin verior ka pasur reshje dëbore me intensitet, grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës”, njofton ARRSH.

Konkretisht, grupet e punës janë të vendosura në Kukës-Krumë ,dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700 metra, në Qafë Thore, në Vau i Dejës-Pukë-Kukës.

Po ashtu në Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.

Kurse në rajonin jugor dhe qendror, moti ka qenë i vranët me reshje shiu pa intensitet, pa sjellë probleme në akset rrugore.

Në to qarkullimi vijon normalisht.

Sakaq, ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore