Kosova

Arrin grupi i tretë me 131 afganë në Kosovë


Ilustrim

Grupi i tretë i qytetarëve afganë, tashmë ka arritur në Kosovë.

Aeroplani i forcave amerikane i nisur nga Gjermania, ateroi në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 17:00 me 131 afganë në bord.

Kështu është bërë e ditur për Albanian Post nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Pas kontrolleve procedurale grupi do të vendoset në kampin e kompanisë “Bektel-Enka”, që është transformuar në qendër strehuese.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se gjatë të martës së 31 gushtit do të vijnë edhe 131 shtetas tjerë afganë me një fluturim të ri dhe të njëjtit do të akomodohen në ish kampin e Bechtel Enka-s në fshatin Sojevë të komunës së Ferizajt.

“Sot do të kemi një fluturim të ri që do të sjellë 139 shtetas afganë, bashkëpunëtorë të NATOS dhe të cilët sikurse edhe në dy rastet e mëhershme do të procedohen në ligjet dhe do të strehohen në të njëjtin kamp”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, vendimet e Qeverisë flasin për strehim të përkohshëm duke qenë se edhe në marrëveshjet me SHBA-të dhe NATO-s “kemi angazhimin dhe zotimin e tyre që këta ofrojnë strehimin e përhershëm por duke qenë se jemi në një situatë emergjentë të kësaj rrethane kanë pasur nevojë për strehim të përkohshëm”.

Se sa do të zgjasë përkohshmëria e qëndrimit të afganëve, dhe cilat janë lokacionet për strehimin e të tjerëve që pritet të vijnë rreth dy mijë shtetas afganë, Sveçla ka thënë se “strehimi i tyre do të zgjasë pak, bëhet fjalë për çështje javësh apo muajsh”.

Bashkë me 131 afganët që do të vijnë sot, numri i refugjatëve të pranuar deri tani në Kosovë, shkon në 344.

102 erdhën në grupin e dytë të ardhur të hënën në mesnatë dhe 111 në grupin e parë të cilët ateruan në Prishtinë të dielën në ora 20:15.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, më herët pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore