Lajme

Arrijnë në Kosovë trupat e pajetë nga aksidenti në Kroaci


Arritja e trupave të pajetë në Morinë

Kanë arritur në Kosovë, trupat e pajetë të mërgimtarëve, të cilët humbën jetën tragjikisht nga aksidenti në Slavonski Brod të Kroacisë.

Gjatë hyrjes në pikën kufitare të Vërmicës, qytetarët kanë vendosur lule në veturat të cilat po bartnin kufomat.

Ndërsa, bartjen e kufomave po e bën falas kompania”Pikëllimi”.

Në përcjellje të veturave që po i bartnin trupat e pajetë, ishte edhe ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.

Ishin edhe dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji. Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod.

“Gjithë procedurat e nevojshme për transportimin e 10 viktimave janë kryer. Trupat e tyre janë rrugës duke ardhur”, ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sfeçla.

Arritja e trupave të pajetë në Morinë

Ndërkaq, të martën në mbrëmje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur 26 bashkatdhetarë që u përfshin në aksidentin tragjik në Kroaci.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë qenë të pranishëm në aeroport me ardhjen e të mbijetuarve nga aksidenti në Kroaci.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa vetëm njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndryshe, në të gjitha institucionet, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë në nderim të 10 personave të vdekur dhe dhjetëra të tjerëve të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore