Bota

Arrihet marrëveshja post-Brexit


Është arritur marrëveshja midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe mbi tregtinë dhe sigurinë për periudhën pas daljes së kësaj të fundit zyrtarisht nga BE-ja.

Ky zhvillim vjen vetëm një javë përpara përmbylljes përfundimtare të procesit të Brexit.

Marrëveshja përmban rreth dy mijë faqe. Pikat kryesore ku ajo ndalet janë tregtia, energjitika, peshkimi dhe aviacioni.

Një zëdhënës për shtyp i kryeministrit britanik Boris Johnson, deklaroi se “marrëveshja u krye”.

Sipas tij gjithçka u premtua në referendumin e vitit 2016 dhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, u arrit në këtë marrëveshje.

“Kemi marrë mbrapsht kontrollin e parave tona, kufijve, ligjeve, tregtisë dhe ujërave për peshkim. Kjo marrëveshje është një lajm i mrekullueshëm për familjet dhe sipërmarrjet britanike”.

Kryeministri Johnson nuk ka dalë personalisht në deklaratë. Ai ka postuar thjeshtë një foto në Twitter ku shpreh aprovimin e marrëveshjes.

Nga kahu tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u shfaq më reflektive në një konferencë për median.

“Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por kemi tashmë një marrëveshje të mirë. Është gjëja më e duhur dhe e përgjegjshme për të dyja palët. Në fund të negociatave të suksesshme, normalisht unë ndjej gëzim. Por, sot, ndjej vetëm kënaqësi dhe lehtësim”.

Marrëveshja garanton tarifë zero mbi tregtinë e mallrave për vitin 2019, vlera e të cilëve arrin në 668 miliardë paund.

Pavarësisht kësaj, prej 1 janarit 2021, do të fillojnë kontrollet në pikat kufitare. Një pjesë e mirë e shtetasve britanikë, nuk do të kenë më mundësinë të lëvizin lirshëm brenda BE-së./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore