Arrestohet një serb në Veri, sulmoi me armë zjarri Policinë

SHFLETO

Ilustrim: Veriu i Kosovës

 

Dini Fetahu
30.12.2023 15:19
Loading Icons...

Policia e Kosovës ka pasur një përleshje me armë zjarri me disa persona në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe – të cilët po kontrabandonin dele nga Serbia, ndërsa njëri prej të dyshuarve është arrestuar.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, të cilët kanë njoftuar se i arrestuari dyshohet për përfshirje në veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “kontrabandë e mallrave”.

“Gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot më 30.12.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve”, thuhet fillimisht në njoftimin e policisë.

Në njoftim theksohet se në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, theksohet aty.

Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, “pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës”. “Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’”.

Bëhet me dije se kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, ndërsa dy veturat e hasura në vendin e ngjarjes janë konfiskuar.

Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është dërguari në mbajtje për 48 orë.