Kosova

Arrestohet një serb në Bërnjak, dyshohet për “prishje të rendit kushtetues të Kosovës”


Vendkalimi kufitar Bernjak.

Një serb me inicialet S.S është arrestuar të shtunën në pikën kufitare të Bërnjakut, i cili dyshohet për “prishje të rendit kushtetues të Kosovës”.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Personi në fjalë është arrestuar në mesditë, rrugës për në Serbi, dhe momentalisht është duke u marrë në pyetje.

Elshani nuk ka dhënë detaje shtesë për rastin.

Siç raporton media me seli në Veri “KoSSev”, bëhet fjalë për një serb i cili u plagos me armë në vjeshtën e vitit 2021 gjatë aksionit të njësive speciale të Kosovës në Veri të vendit.

Lidhur me këtë arrestim ka reaguar edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit zyrtar.

Ashtu edhe siç pritej, ata kanë akuzuar autoritetet kosovare gjoja për “terror ndaj serbëve”.

“Arrestimi i sotëm i bashkëqytetarit tonë S.S nga policët e Kurtit derisa ai së bashku me bashkëshorten e tij nisën udhëtimin për në Serbinë qendrore në vendkalimin Bërnjak, është vazhdimësi e terrorit të regjimit në Prishtinë ndaj popullit tonë, por edhe ndaj S.S”, kanë thënë ata.

“Akuza për sulmin e rendit kushtetues është, kujtojmë, pjesë e planit të Albin Kurtit për të dëbuar të gjithë serbët e parë nga veriu i Kosovës”, kanë pretenduar nga kjo parti që dirigjohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore