Kosova

Arrestohet një polic, dyshohet për veprat penale “Ngacmim” dhe “Dhunim”


Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK).

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se të martën është arrestuar një zyrtar policor në Gjakovë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmim” dhe “Dhunim”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtari policor ka shantazhuar viktimën në këtë rast përmes disa fotove dhe video incizimeve”.

“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ndërsa, është thënë se hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Edhe më 22 mars, një polic ishte arrestuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit”.

257 zyrtarë policorë janë hetuar gjatë vitit 2022 nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa 100 janë arrestuar, kurse janë rekomanduar 164 për suspendim.

Këto të dhëna i kishte bërë të ditur Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore