Arrestohet një person për plagosjen në Prishtinë

SHFLETO

Ilustrim.

 

Altina Marmullaku
30.05.2024 10:44
Loading Icons...

Një plagosje ka ndodhur në Prishtinë të mërkurën mes dy personave, ku më pas viktima është dërguar për tretman mjekësor.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës – nga të cilët është thënë se kanë konfiskuar armën.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se aksidentalisht ka plagosur me armë zjarri viktimën mashkull shtetas i Rumanisë. Viktima është dërguar për tretman mjekësor”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ku kanë konfiskuar: një armë zjarri AK-47 me të cilën dyshohet së është plagosur viktima, 214 fishekë, një armë zjarri revole me dy karikatorë dhe 10 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Po ashtu, nga raporti u kumtua lajmi se viktima që është goditur nga vetura të mërkurën, ka ndërruar jetë.

“Raportohet se drejtuesi mashkull kosovar, me veturë ka goditur këmbësorin mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK, ku nga mjeku është konstatuar vdekja e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”.

Teksa, një person është arrestuar në Zubin Potok për veprën “armëmbajtje pa leje” – të njëjtit i është konfiskuar një pushkë gjuetie dhe disa pajisje të tjera.

“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në pushimoren e tij janë gjetur dhe janë konfiskuar: një pushkë gjuetie, pjesë për pushkë gjuetie, një palë dylbi, një radiolidhje, 6 kartela grafike dhe 14 antiminera”.

Një rast i ngjashëm ka qenë edhe në Komunën e Istogut.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe i është sekuestruar një pistoletë me 9 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa aparaturat për prodhimin e kriptovalutave janë dërguar në terminalin doganor”.

Po ashtu, një tjetër person është arrestuar për veprën “vjedhje të identitetit dhe pajisja e qasjes”, pas intervistimit nga policia i njëjti është dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe janë konfiskuar pajisje elektronike dhe dokumente që ndërlidhen me rastin”.

Për të gjitha këto raste nga policia është thënë se kanë nisur hetimet.