Kosova

Arrestohet Milan Radojiçiç, i caktohet masa e paraburgimit për 48 orë


Foto: Albanian Post

Krimineli dhe terroristi Milan Radojiçiç, këtë të marte është arrestuar nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky arrestim vjen pak ditë pasi që krimineli Radojiçiç e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Serbisë, duke potencuar se është dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë e Beogradit.

“Policët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe objektet tjera të Milan Radojiçiç-it, i cili është ndaluar deri në 48 orë”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Para arrestimit, Radojiçiç kishte shkuar për të dëshmuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në cilësinë e dëshmitarit, në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Milan Radojiçiç – ish-nënkryetar i Listës Serbe, i dorëhequr së voni – kishte udhëhequr terroristët serbë më 24 shtator.

Për ta vërtetuar pjesëmarrjen e Radojiçiç-it, fillimisht Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte publikuar disa pamje të filmuara nga droni, ku vërehej qartë prezenca e tij në hapësirat e Manastirit të Banjskës, para se të largohej për në Serbi.

Vnedi ku kishte qendruar Radojiçiç para se te largohej per ne Serbi

Ndërsa, para disa ditëve, do të ishte edhe vet Radojiçiç që përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, do të pranonte se kishte qenë në krye të terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës.

Përmes asaj letre, terroristi Radojiçiç, përpiqej që ta shfajësonte Serbinë për sulmin terrorist dhe fajin ta merrte për vete.

“Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit e popullit serb, që nga (Albin) Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike”, thoshte në letrën e tij.

Tutje, njeriu i besuar i kreut serb, Aleksandër Vuçiç, pretendonte se nuk e ka njoftuar askënd nga shteti i Serbisë.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre”.

Nga ana tjetër, të gjitha pronat që krimineli Radojiçiç i ka pasur në Kosovë, specifikisht në Veri, iu janë bastisur dhe iu kanë kanë konfiskuar disa dokumentacione, veçanërisht tek vila e tij e ndërtuar buzë liqenit të Ujmanit.

Ndërkaq, autoritet kosovare kanë kërkuar ekstradimin e Radojiçiç-it në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të martën se po e presin vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletë-arrest ndërkombëtar për të.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiç të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh pamë një bastisje në pronat e terroristit Radojiçiç, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të tjera të pasurisë së tij”, tha Haxhiu për Ekonomia Online.

Haxhiu thekson se është e vendosur që të kërkojë dorëzimin e Radojeçiç-it në Kosovë, por është vetëdijshme që do të ketë vështirësi, meqë sipas saj, “vetë Serbia e ka dirigjuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit”.

“Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë. Në fakt, partnerët tanë duhet të na ndihmojnë për një hetim ndërkombëtar mbi ato bazat ushtarake ku trajnohen terroristët, në Serbi pra”.

Po ashtu ajo ka potencuar se do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë terroristët që ishin futur nga Serbia në Kosovë të identifikohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore