Kosova

Arrestohet Frashër Krasniqi, Molliqaj: Vazhdon përndjekja e pushtetit


Dradan Molliqaj

Aktivisti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, është arrestuar këtë të premte në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, teksa këtë e ka konsideruar si “përndjekje të pushtetit”.

“Policia e ka arrestuar para pak çastesh edhe aktivistin tjetër Frashër Krasniqi, në kufirin Kosovë – Shqipëri. Sikurse dje, me aktivistët Donjeta Demolli dhe Gëzon Kastrati, përndjekja e këtij pushteti vazhdon edhe sot me rastin e Frashër Krasniqit”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Frashër Krasniqi

Të enjten dy aktivistë të PSD-së u arrestuan nga Policia e Kosovës pasi që organizuan një aksion simbolik në një tubim kur po fliste kryeministri Albin Kurti, duke ia ndërprerë fjalën këtij të fundit, derisa lëshuan në zmadhues një fjalim të udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ku dëgjohet duke e kundërshtuar ashpër Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin tani e ka pranuar.

“Për PSD-në Asociacioni është i papranueshëm. Tash që rezistenca ndaj kësaj marrëveshje do të rritet, ky pushtet e ka filluar përndjekjen. Këto metoda autoritare të frikësimit, nuk na ndalin. Me të tilla arrestime të paligjshme, rezistenca jonë nuk zvogëlohet”, pohoi Molliqaj.

Kreu i PSD-së potencoi se “ne nuk do të ndalemi asnjëherë”, ndërsa kërkoi lirimin e mënjehershëm të aktivistit Frashër Krasniqi.

“Zajendica nuk kalon”: Aktivistët e PSD-së ia ndërpresin fjalimin kryeministrit Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore