Arrestohet 66-vjeçari në Shkodër, po transportonte 13 emigrantë nga Bangladeshi dhe India

SHFLETO
Sadiola Xhelili
13.04.2023 10:07
Loading Icons...

Paraditen e kësaj të enjteje të 13 prillit në Shkodër, një 66-vjeçar është arrestuar pasi është kapur duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi.

Refugjatët, referuar Policisë së Shtetit, mësohet se janë nga India dhe Bangladeshi.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A.K, banues në Shkodër dhe në furgon janë gjetur dhe sekuestruar 2 aparate celularë, 22 mijë lekë dhe 450 euro.

Operacioni policor i koduar “Aksi” u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër.

Shtetasi u kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt pagesës, drejt kufirit me Malin e Zi, 13 shtetas të huaj që i kishte marrë në Sarandë.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin A. K.

Në këtë automjet ishin pasagjerë 13 shtetas të huaj (nga Bangladeshi dhe India), të cilët dyshohet se shtetasi A. K. i kishte marrë në Sarandë dhe po i transportonte, kundrejt pagesës, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së.

Automjeti tip “Huyndai” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare, 22 mijë lekë dhe 450 euro.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Shkodër.

Sakaq, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.